Shqipëria

Mbrojtja thotë se është përmirësuar situata në Shkodër dhe Lezhë


Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri deklaroi se ka një përmirësim “të konsiderueshëm” të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë.

Kjo, sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile.

Institucioni shtetëror bëri me dije se uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.

Mbrojtja thotë se ka prani uji në rreth 4 mijë e 356 hektarë sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë.

Edhe në këto zona, sipas njoftimit zyrtar, situata po monitorohet me vëmendje.

Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës.

Këta të fundit, janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti.

Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe situata në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, paralajmëron Mbrojtja, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.

Në Bashkinë Lezhë zonat më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa.

Në monitorim është edhe situata sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen.

“Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës”, thekson Ministria e Mbrojtjes.

Reshjet e dendura të shiut, situata problematike në Shkodër dhe Lezhë

Fondi i emergjencave

Ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Republikën e Shqipërisë, Elisa Spiropali u bëri thirrje më herët autoriteteve lokale që të përdorin “fondin e emergjencave”.

Lajmi u bë i ditur gjatë kontrollit të situatës në Shkodër me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Dua ta theksoj dhe besoj se nuk duhet të lodhemi së thëni se pushteti vendor duhet që ‘fondin e emergjencës’ të pakushtëzuar ta përdori në këtë ditë të keqe”, theksoi fillimisht zyrtarja shqiptare.

Ministrja shtoi se është pikërisht për këtë arsye pse qeveria edhe këtë vit edhe vitin e ardhshëm e ka parashikuar në Buxhet “për të gjitha ato gjëra që i duhen qytetarëve në këtë ditë”.

“Buxheti i emergjencave ka absolutisht mundësi t’i plotësojë këto nevoja”, shtoi Spiropali.

Kujtojmë, që më 10 prill Ministria e Mbrojtjes u akordoi bashkive një fond total prej 10 milion dollarë.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë më shumë burime financiare për të përballuar Emergjencat Civile në territorin e tyre”, shkruante ministria në deklaratën e saj.

Sipas njoftimit, ky fond u është shpërndarë të 61 bashkive të Republikës së Shqipërisë.

Kjo, bazuar në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive.

Fondi ndihmon bashkitë në përmbushjen e detyrimeve të tyre në kuadër të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të planifikojnë fonde të tjera shtesë nga nga të ardhurat e veta vendore, nga fondet që u vijnë drejtpërdrejt nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare, huamarrja vendore, donacionet etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore