Gjykata Speciale

Mbrojtja e Pjetër Shalës: Janë cenuar të drejtat e tij për t’u ballafaquar me dëshmitarët


Pjetër Shala.

Mbrojtja e Pjetër Shalës, në seancën e së mërkurës ka thënë se ish eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili akuzohet për krime lufte, gjatë gjykimit të tij i janë shkelur të drejtat për t’u përballur me dëshmitarët.

Avokatja, Leto Cariolou, ka theksuar se pranimi i deklaratave të dy dëshmitarëve që sipas saj kanë qenë të rëndësishëm me shkrim, që tashmë kanë vdekur kanë cenuar mbrojtjen.

“Mbrojtjes nuk iu dha e drejta t’i ballafaqonte dhe të vinte në pikëpyetje dëshmitë e tyre. Kjo nuk ka qenë as e përligjur dhe as e bazuar. Edhe kjo cenoi mbrojtjen sepse nuk i dha mundësinë të ballafaqojë në mënyrë që të iu bënte atyre të qarta kontradiktat në mes deklaratave të tyre të ndryshme”.

“Krahas kësaj, dëshmitë e dy dëshmitarëve kryesorë; 4733 dhe 1488 po ashtu janë pranuar me shkrim”, tha Cariolou.

Tutje ajo potencoi se s’ka pasur mundësi t’i ballafaqonte këta dy dëshmitarë lidhur me dëshmitë që kishte dhënë kundër tij.

“Kjo mund të duket e logjikshme se ata kanë vdekur, por kur bëhet fjalë për identifikimin dhe për faktin se për dëshmitarin 4733 përshkrimi që ka dhënë ky person për të akuzuarin është tërë gabime dhe 1488 e ka identifikuar të akuzuarin duke u bazuar në informacione që ia kanë dhënë persona të tjerë të pabesueshëm”.

“Ka pasur cenim për faktin që është pranuar dëshmia e tyre pa e pasur ne mundësinë t’i ballafaqojmë këta dëshmitarë”.

Sipas saj, trupi gjykues duhet t’i refuzojë këto dëshmi.

“Për të zgjidhur këtë cenim, trupi gjykues nuk duhet t’iu kushtojë rëndësi dëshmive të tyre dhe të mos pranojë asnjë nga aspektet që nuk konfirmohet në dëshmi si të besueshme dhe të rëndësishme”, tha ajo.

Më 15 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që Shala, i cili akuzohet për krime lufte, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme të dënohet me 28 vjet burgim.

Prokurorët specialë kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje.

Ata kanë pretenduar se Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, të cilët konsideroheshin kolaboracionistë.

Shala, i cili akuzohet nga ZPS-ja për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku edhe supozohet se janë keqtrajtuar njerëz dhe një prej tyre u vra, në nisje të gjykimit në Hagë, deklaroi se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara. Ai u arrestua më 16 mars 2021, ndërsa gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt 2023.

Ai ngarkohet për krime të pretenduara lufte që u kryen midis majit dhe qershorit 1999, ndaj personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila pretendohet se kontrollohej nga UÇK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore