Jetesë & Stil

Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla pozojnë me Mbretin dhe Mbretëreshën e Belgjikës në Kështjellën Windsor


Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla kanë vazhduar detyrat e tyre të pritjes mbretërore që kur u kurorëzuan.

Dyshja mirëpritën Mbretin Philippe dhe Mbretëreshën Mathilde të Belgjikës në rezidencën Berkshire, derisa edhe pozuan për një foto të publikuar në faqen e familjes mbretërore në Instagram.

Mbretëresha Camilla, 75 vjeçe, kishte veshur një fustan blu, ndërsa mbretëresha Mathilde, 50 vjeçe zgjodhi një fustan rozë.  Në anën tjetër, mbreti Charles, 74 vjeç, kishte veshur një kostum marine dhe mbreti Philippe, 63 vjeç, kishte veshur një kostum të zi.

Anëtarët mbretërorë të Belgjikës ishin në Angli për të festuar organizimet në nder të Ditës së Themeluesit, ngjarje kjo që mbahet pothuajse çdo vit që nga hapja e Spitalit Mbretëror në vitin 1692, shkruan People, transmeton AlbanianPost.

Para se fotografia të shkrepej, Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde, morën pjesë në ceremoninë e Ditës së Themeluesit në Londër.

Mbreti Philippe, i cili është një kushëri i largët i mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, kishte veshur një uniformë ushtarake gjatë kryerjes së detyrave të Oficerit Rishikues për ceremoninë e Ditës së Themeluesit.

Ndërkaq, në ditën e kurorëzimit më 6 maj, Mbreti Charles u kurorëzua zyrtarisht si monarku i ri i Mbretërisë së Bashkuar.

“Charles u bë Mbreti Charles në momentin që i vdiq nëna e tij, por kurorëzimi ka të bëjë me punën dhe të qenit monark në sytë e të gjithë njerëzve”, ka thënë historiani mbretëror Robert Lacey.

“Kurorëzimi do të pasqyrojë rolin e monarkut sot dhe do të shikojë drejt së ardhmes, duke qenë i rrënjosur në traditat e vjetra dhe madhështinë”, ishte një postim i publikuar nga Buckingham Palace.

Për të mbyllur fundjavën e kurorëzimit, Mbreti lëshoi një mesazh të veçantë në lidhje me publikimin e portreteve zyrtare të marra në Buckingham Palace për të përkujtuar ditën historike.

“Ndërsa fundjava e kurorëzimit po i afrohet fundit, unë dhe gruaja ime thjesht donim të ndajmë falënderimet tona më të sinqerta dhe të përzemërta për të gjithë ata që kanë ndihmuar për ta bërë këtë një rast kaq të veçantë”, tha ai në deklaratë.

“Ne i kushtojmë një nderim të veçantë njerëzve të panumërt që kanë kushtuar kohën dhe përkushtimin e tyre për të siguruar që festimet në Londër, Windsor dhe më tej të ishin sa më të lumtura, të sigurta dhe të këndshme”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore