Lajme

Mbretëria e Bashkuar refuzon t’i japë statusin e plotë diplomatik ambasadorit të BE-së


Mbretëria e Bashkuar (MB), refuzon t’i japë ambasadorit të Bashkimit Evropian (BE), Joao Vale de Almeida, statusin e plotë diplomatik që u jepet ambasadorëve të tjerë.

Situata u përkeqësua kur u zbuluan letrat e shkruara nga shefi i  punëve të jashtme të BE-së.  Ai ka shprehur shqetësime serioze në lidhje me statusin që u jepet zyrtarëve të BE-së në MB.

Ministria e Jashtme e MB-së, duke cituar Konventën e Vjenës, këmbëngul që De Almeida dhe zyrtarët e tij nuk duhet të kenë privilegjet diplomatike.

Konventa  merret vetëm me diplomacinë tradicionale bilaterale. Ajo nuk përfshin marrëdhëniet me organizatat tjera ndërkombëtare dhe misionet e veçanta diplomatike.

Megjithëse MB-ja  këmbëngul se pozicioni i saj nuk ka lindur nga euroskepticizmi, ajo është praktikisht e vetmja që merr këtë vendim.

BE-ja gëzon status të plotë diplomatik në 142 vende të tjera në botë. Delegacionet dhe ambasadorët e  saj marrin të njëjtin status si diplomatët që përfaqësojnë kombet sovrane.

Britania ishte anëtare e BE-së  për 46 vjet, por votoi për tu larguar nga ajo në 2016.  Largimi përfundimtar u bë më 31 dhjetor 2020, kur Brexit hyri plotësisht në fuqi.

Sipas të përditshmes “The Guardian”, zyrtarët e BE-së e kanë akuzuar privatisht Zyrën e Jashtme për hipokrizi. Sipas saj MB-ja ka nënshkruar propozimet e traktatit të Lisbonës por nuk i ka respektuar.

Propozimet kërkojnë  që diplomatëve të BE-së  t’u jepen “privilegje dhe imunitete ekuivalente me ato të referuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të 18 Prillit 1961 ”.

“Mbretëria e Bashkuar mund të argumentojë se nuk është më e lidhur me këtë marrëveshje pasi ajo është larguar nga BE-ja”, shkruan “The Guardian”.

Për gati një vit, edhe administrata e Donald Trumpit uli statusin diplomatik të delegacionit të BE-së. Statusi u rikthye në  pozicionin e tij të mëparshëm në mars të 2019-ës./AlbaniaPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore