Lajme

Mbretëria e Bashkuar, mes tensioneve nga ‘Pakti Aukus’, fton vendet e Azisë Juglindore në samitin e G7-ës


Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, gjatë një konference për shtyp në ditën e fundit të samitit të G7-ës në Carbis Bay, Cornwall, Angli, të dielën 13 qershor 2021.

Mbretëria e Bashkuar ka ftuar vendet e Azisë Juglindore të marrin pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të G7-ës në Liverpool muajin e ardhshëm, në një lëvizje që rrezikon të nxjerrë në pah shqetësimet se aleanca e re midis Britanisë, SHBA-ve dhe Australisë do të nxisë një garë rajonale të armëve bërthamore.

Shtetet nga Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) janë të ndara në lidhje me partneritetin e ri Aukus, por disa, veçanërisht Indonezia dhe Malajzia, e kanë kritikuar ashpër atë dhe shumë në bllokun 10-anëtarësh ngurrojnë të marrin anën në rivalitetin e shpalosur të superfuqive midis SHBA-ve dhe Kinës.

Ftesa për në Merseyside-n, më 10 dhjetor, për tri ditë erdhi një javë pas sulmit terrorist, jashtë spitalit të grave në Liverpool.

Zgjedhja e Liverpool-it si vendi i takimit të dytë të ministrave të jashtëm të G7-ës, gjatë kryesimit të saj nga Mbretëria e Bashkuar, erdhi përpara incidentit.

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, në qendër, me (nga e majta) kryeministrin e Italisë, Mario Draghi, kryeministrin e Australisë, Scott Morrison, kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in, presidentin e SHBA-ve Joe Biden, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, kryeministrin e Japonisë, Yoshihide Suga dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë samitit të G7 në Cornwall, Angli, të shtunën 12 qershor 2021.

Zyra e Jashtme tha se Liverpool-i ishte zgjedhur për shkak të historisë së tij si një qytet port me një perspektivë globale.

Rreth 21 ministra të Jashtëm mund të marrin pjesë, pasi Australia, Koreja e Jugut, India dhe Afrika e Jugut janë ftuar gjithashtu.

Sekretarja e Jashtme, Elizabeth Truss, deklaroi: “Unë dua që ne të ndërtojmë një rrjet mbarëbotëror që avancon lirinë, demokracinë dhe sipërmarrjen, si dhe inkurajon vendet me të njëjtin mendim që të punojnë së bashku nga një pozicion fuqie”.

I vetmi vend i paftuar në ASEAN është Myanmar-i.

Këtij të fundit i është kërkuar që të paraqesë një përfaqësues që nuk bën pjesë në juntën qeverisëse për të marrë pjesë me video-call – politikë e miratuar nga ASEAN në samitin e muajit të kaluar.

Ministrja e Jashtme e Britanisë, Elizabeth Truss dhe homologia e saj indoneziane, Retno Marsudi, duke pozuar për fotografët përpara takimit të tyre në Jakarta, të enjten, 11 nëntor 2021.

Kina ka të ngjarë ta shohë këtë zgjerim të G7-ës – i cili përfaqëson fuqitë ekonomike më të përparuara në botë – si një përpjekje për ta bërë rajonin të mbështesë Aukus-in dhe një qasje më të ashpër ushtarake ndaj Kinës.

Në shtator, Australia i zemëroi francezët duke anuluar një kontratë të gjatë të nëndetëseve me Parisin.

Ajo njoftoi se po krijonte një partneritet me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore, si dhe për të punuar së bashku në teknologji të tilla, si inteligjenca artificiale dhe llogaritja kuantike.

Në fundjavë, ministri indonezian i Mbrojtjes, Prabowo Subianto, tha për Aukus se: “Sigurisht që Azia Juglindore duhet të mbetet pa teknologji bërthamore. Ekziston frika se kjo do të ndezë një garë armatimi me vendet që kërkojnë nëndetëse bërthamore dhe ne e dimë tani që teknologjia është atje”.

Nëndetëse amerikane në Gjirin Harbour

Ministri malajzian i Mbrojtjes, Hishammuddin Hussein, tha se, “aksionet janë shumë të larta” dhe se, “kostoja nuk ia vlen të rrezikohet, pasi askush nuk dëshiron ose nuk mund të përballojë një konfrontim në shkallë të plotë në këto ujëra. Ne duhet të lëmë mënjanë egon, krenarinë dhe zemërimin tonë për të ecur përpara”.

Stephen Lovegrove, këshilltari për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, tha se nëndetëset e planifikuara australiane me shtytje bërthamore, “do të mbajnë armë ndoshta shumë të ngjashme me nëndetëset që Australia, në çdo rast, do të blinte nga francezët”.

Ai shtoi se, “qeveria australiane është plotësisht e përkushtuar për t’u siguruar që standardet më të larta të mundshme të administrimit dhe funksionimit të ruhen”.

Të premten, Kurt Campbell, këshilltari amerikan i Indo-Paqësorit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pranoi pakënaqësinë që kishte shkaktuar partneriteti i Aukus-it dhe pretendoi se mund të mos ishte një organizatë ekskluzive, por e hapur për vendet e tjera evropiane për t’u bashkuar në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Ambasada Kineze në Washington e ka kundërshtuar karakterizimin e Campbell-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore