Lajme

Koreja e Veriut/ ‘Aukus mund të shkaktojë garë të armëve bërthamore’


Autoritetet e Koresë së Veriut kanë dënuar një pakt të ri të sigurisë midis SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Australisë, duke thënë se mund të shkaktojë një “garë të armëve bërthamore”.

Një zyrtar i ministrisë së Jashtme tha se marrëveshja Aukus “do të prishë ekuilibrin strategjik në rajonin e Azi-Paqësorit”.

Marrëveshja do të bëjë që SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar t’i japin Australisë teknologjinë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.

Ajo po shihet gjerësisht si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në Detin e kontestuar të Kinës Jugore.

Pakti Aukus u shpall javën e kaluar dhe gjithashtu do të mbulojë raketat e lundrimit, Inteligjencën Artificiale dhe teknologji të tjera.

“Këto janë akte jashtëzakonisht të padëshirueshme dhe të rrezikshme të cilat do të prishin ekuilibrin strategjik në rajonin e Azi-Paqësorit dhe do të shkaktojnë një zinxhir të garës së armëve bërthamore”, tha një zyrtar i ministrisë së Jashtme të Republikës Popullore Demokratike e Koresë (DPRK) duke iu referuar marrëveshjes së sigurisë.

Javën e kaluar, Koreja e Veriut kreu dy teste kryesore të armëve – atë të një rakete lundrimi me rreze të gjatë dhe një rakete balistike.

Kina ka kritikuar gjithashtu marrëveshjen me zëdhënësin e ministrisë së jashtme të Pekinit, Zhao Lijian duke thënë se aleanca rrezikon “të dëmtojë rëndë paqen rajonale dhe të intensifikojë garën e armatimit”.

Pheniani tha se ishte “e natyrshme që vendet fqinje si Kina, i dënuan këto veprime si të papërgjegjshme të shkatërrimit të paqes dhe stabilitetit të rajonit”.

Marrëveshja do të bëjë që SHBA-të të ndajnë teknologjinë nëndetëse për herë të parë në 60 vjet, pasi më parë e kishte ndarë atë vetëm një herë me Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo do të thotë që Australia do të jetë në gjendje të ndërtojë nëndetëse me energji bërthamore që janë më të shpejtë dhe më të vështirë për tu zbuluar sesa flotat me fuqi konvencionale.

Koreja e Veriut gjithashtu iu referua një deklarate të mëparshme të bërë nga Franca, e cila e quajti marrëveshjen një “goditje pas shpine”, dhe tha se pakti kishte çuar në një “krizë serioze” midis aleatëve.

Franca ka qenë kritike ndaj paktit Aukus sepse përfundoi një marrëveshje me vlerë 37 miliardë dollarë të nënshkruar nga Australia në 2016 për Francën për të ndërtuar 12 nëndetëse konvencionale. Franca thotë se ishte informuar për paktin vetëm disa orë para se të bëhej njoftimi publik.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore