Lajme

Marrëveshja Aukus: Përballja e kryeministrit australian dhe presidentit francez “nuk shkoi mirë”


Presidenti francez Emmanuel Macron, djathtas, dhe kryeministri i Australisë Scott Morrison gjatë një konference të përbashkët shtypi në Pallatin Elysee në Paris, të martën, 15 qershor 2021.

Kryeministri australian Scott Morrison ka përshkallëzuar marrëdhëniet me Francën rreth një marrëveshjeje të anuluar për nëndetëset, duke thënë se kombi i tij nuk do të pranojë “thërrime”.

Deklarata e tij erdhi pasi të dielën, presidenti francez Emmanuel Macron tha se e dinte që Morrison e kishte gënjyer për qëllimet e tij për të refuzuar marrëveshjen.

Morrison, nga ana tjetër e mohon se ka gënjyer.

Por ai është akuzuar se ka shtrembëruar në mënyrë cinike fjalët e Macron-it duke qortuar australianët dhe jo atë personalisht.

“Unë kam shpatulla të gjera, mund të përballem me ato akuzat”, u tha Morrison gazetarëve në samitin e klimës COP26.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, mban një fjalim, gjatë Samitit COP26, në SECC në Glasgow, Skoci, të hënën, 1 nëntor 2021.

Në shtator, Australia anuloi marrëveshjen prej 37 miliardë dollarësh me Francën për të ndërtuar 12 nëndetëse me naftë dhe në vend të kësaj negocioi një pakt mbrojtës me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe – të ashtuquajturin Aukus.

Ajo do të shohë Australinë të fitojë akses në teknologjinë amerikane të nëndetëseve bërthamore – një veprim i parë si një kundërvënie strategjike ndaj Kinës.

Por masa e tërboi Francën, e cila tha se kishte qenë e verbër. Parisi tërhoqi përkohësisht ambasadorët e tij në Australi dhe SHBA.

Macron dhe Morrison u takuan në samitin e G20-ës në Romë në fundjavë – takimi i tyre i parë që nga mosmarrëveshja.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron flet gjatë ceremonisë së hapjes së Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP26 në Glasgow, Skoci, të hënën 1 nëntor 2021.

Por i pyetur më vonë nëse ai mendonte se Morrison kishte qenë i pavërtetë, Macron tha: “nuk mendoj, e di”.

“Thjesht them kur kemi respekt, duhet të jesh i vërtetë dhe të sillesh në përputhje me këtë vlerë”, vijoi Macron.

Duke folur në Glasgow, Morrison pohoi se nuk dëshironte të “personalizonte” mosmarrëveshjen, duke pranuar se Franca ishte ofenduar.

Por ai tha se i kishte shpjeguar shqetësimet në lidhje me kontratën me Macron në qershor.

Nëndetëse amerikane në Gjirin Harbour.

Komentatorët australianë kanë akuzuar Morrison dhe këshilltarët e tij për përpjekje për të zbutur ndikimin e grindjes brenda vendit.

Të premten, presidenti i SHBA-ve Joe Biden zhvilloi gjithashtu takimin e tij të parë ballë për ballë me Macron që kur u dakordua pakti Aukus.

Gjatë shkëmbimit në dukje të vështirë, Biden pranoi se SHBA-të ishin “të ngathët” në negociatat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore