Lajme

Mbretëri e Bashkuar, ekspertët: Vaksina është efektive kundër variantit indian


Sekretari i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Matt Hancock

Ministri i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Matt Hancock, ka deklaruar, më 16 maj, se ekspertët kanë “besim në rritje” se vaksinat e Covid-19 kanë efektivitet kundër variantit indian të virusit.

Shkencëtarët besojnë se varianti është më i transmetueshëm dhe rastet e tij gati trefishohen duke e çuar numrin e të infektuarve në 1 mijë e 313 javën e kaluar në Angli.

Por Hancock tha se të dhënat e hershme të laboratorit treguan se vaksinat mbetën efektive.

Ai tha se shumica e atyre në spital në Bolton – një pikë e nxehtë për variantin indian – ishin të pa vaksinuar.

Ai shtoi se varianti, i njohur si B.1.617.2, ishte “relativisht i përhapur në numër të vogël” në pjesën më të madhe të vendit.

Të premten kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se ky variant mund të përbëjë “përçarje serioze” në fazën përfundimtare të lehtësimit të bllokimit në Angli më 21 qershor.

Në një deklaratë për mediat angleze, Hancock tha se ishte “mjaft e mundshme” që varianti të bëhej lloji dominues në Mbretërinë e Bashkuar.

Hancock mbrojti lehtësimin e rregullave të bllokimit në Angli nga e hëna dhe tha se strategjia e qeverisë ishte të “zëvendësonte kufizimet me vaksinimin” si linja e parë e mbrojtjes kundër virusit.

Një anëtar i Komitetit të Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin, Prof. Adam Finn, ka deklaruar se edhe pse rregullat po lehtësoheshin në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar të hënën, njerëzit duhet të jenë “shumë të kujdesshëm”.

Një vendim nëse të gjitha kufizimet ligjore mund të përfundojnë muajin tjetër do të merret më 14 qershor.

Personat mbi 35 vjeç në Angli do të jenë në gjendje të rezervonjnë një takim për dozat e tyre Covid-19 në javën e ardhshme.

Pavarësisht shqetësimeve në lidhje me variantin indian, kufizimet e coronavirus-it në të gjithë Anglinë, Skocinë dhe Uellsin do të “relaksohen” nga e hëna.

Irlanda e Veriut pritet të rishikojë kufizimet e saj më vonë këtë muaj.

Të shtunën numri i pacientëve në spital me Covid ra nën 1 mijë, për herë të parë në tetë muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore