Shqipëria

Mblidhet Komisioni i Ligjeve, jepen arsyet e kërkesës për shkarkimin e presidentit


Komisioni i Ligjeve është mbledhur më 5 maj, për të shqyrtuar shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, firmosur nga 50 deputetë të Kuvendit.

Në fillim të seancës, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, bëri me dije se presidenti Meta ka kërkuar të jetë pjesë e një mbledhjeje të Komisionit të Ligjeve.

Manja caktoi datën e 10 majit për mbledhjen e ardhshme, ku do të jetë i pranishëm dhe presidenti.

Në vijim ai u kërkoi kolegëve të tij, që të paraqesin argumentet dhe shkaqet që i kanë shtyrë për të firmosur shkarkimin e presidentit.

Nënkryetarja e Kuvendit dhe një nga firmëtaret e kësaj nisme, Vasilika Hysi, tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke përçarë popullin. Sipas Hysit, gjuha e përdorur nga presidenti ishte denigruese dhe fyese.

Gjithashtu, shtoi ajo, aktiviteti i presidentit gjatë dhe para fushatës, ka nxitur “ndasi sociale”, duke i shtyrë deputetët që të kërkojnë shkarkimin e tij.

“Presidenti i Republikës në rolin e kreut të shtetit, nuk e ka ushtruar funksionin e unitetit kombëtar. Nuk ka qenë mbi palët. Presidenti nuk ka ushtruar kompetencat e tij Kushtetuese. Ngjarjet para fushatës zgjedhore dhe gjatë fushatës, si dhe në heshtjen zgjedhore, ku ndalohen deklaratat”.

“Kushtetuta thotë që presidenti s’mund të jetë kryetar partie. Veprimet para dhe gjatë fushatës, dëshmojnë që presidenti kryente veprime haptazi politike, në shkelje flagrante të Kushtetutës. Me mesazhet e dhëna nuk ka ulur tensionin politik, përkundrazi e ka nxitur atë duke inkurajuar njerëz të konfliktojnë”.

“Presidenti i Republikës ka qenë aktiv në rrjete sociale, me të gjithë periudhën e mëparshme. Vetëm më 25 prill, presidenti ka publikuar mesazhe denigruese. Këto bien ndesh në standardet evropiane”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore