Aplikacione

Mbikëqyrësi i BE-së: Rregullatorët kanë pak njohje mbi bankat në tregun digjital


Mbikëqyrësi bankar i Bashkimit Evropian ka pohuar se rregullatorët kanë pak njohje mbi rreziqet nga bankat që krijojnë tregje digjitale me kompanitë e teknologjisë.

Gjithashtu mbikëqyrësi ka veçuar se nevojitet një kornizë për të identifikuar pasoja të mundshme nëse gjërat shkojnë keq.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se paralajmërimi i Autoritetit Bankar Evropian është shenja e fundit që rregullatorët financiarë kanë nisur t’i kushtojnë vëmendje lidhjeve në rritje të kompanive teknologjike me financat.

Kompanitë financiare dhe teknologjike po afrohen së bashku teksa bankat krijojnë tregje digjitale për produkte si pagesat dhe hipotekat, si dhe shërbime të tjera financiare dhe jo financiare.

Dhe ky proces është përshpejtuar që nga fillimi i pandemisë.

Tanimë, klientët mund të bëjnë pagesa ose të blejnë gjëra duke përdorur telefonin e tyre celular, i cili lidhet drejtpërdrejt me llogarinë e tyre bankare.

I ashtuquajtur platformizim, ai ndihmon bankat të ulin kostot dhe të arrijnë një gamë më të gjerë klientësh, si dhe përfshin partneritete me grupet e teknologjisë.

Rasti i Apple Pay lejon mbajtësit e kartave të debitit dhe të kreditit të bankave të krijojnë një kuletë Apple për të bërë pagesa.

Nga ana tjetër, Google dhe Citi janë bashkuar për t’ju mundësuar përdoruesve të aplikacionit Google Pay të hapin një llogari kontrolluese me Citi-n.

Mirëpo, mbikëqyrësi i BE-së ka pohuar se mbështetja në platformat digjitale për marketingun dhe shpërndarjen e shërbimeve, krijon forma të reja ndërvarësive financiare, operacionale dhe të reputacionit.

Sipas mbikëqyrësit, tendenca po paraqet “disa sfida” për rregullatorët në monitorimin e zhvillimeve të tregut dhe çdo rrezik nga këto ndërvarësi.

“Në të vërtetë, duket se shumica dërrmuese e autoriteteve kompetente aktualisht kanë një njohje të kufizuar të modeleve të biznesit të bazuara në platformë”, ka treguar autoriteti.

Gjithashtu ai ka propozuar që vitin e ardhshëm të krijojë një kuadër për të mbledhur informacion në lidhje me varësitë midis bankave në platformat digjitale dhe të krijojë tregues për të vlerësuar përqendrimin e mundshëm, ngjitjen dhe rreziqet sistemike.

Megjithatë, legjislacioni i ri nuk është i nevojshëm në këtë fazë.

Mbikëqyrësi i ka drejtuar thirrje BE-së të përditësojë udhëzimet se kur një aktivitet digjital duhet të konsiderohet si një ofrues ndërkufitar i shërbimeve.

Dhe se kjo duhet të vijë nën ligjet e BE-së dhe ato kombëtare, të cilat kërkojnë që informacioni të raportohet tek rregullatorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore