Lajme

Mbi gjysmë miliardi të hyra tatimore për tetë muaj, thotë ATK


Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar këtë të premte se ka pasur një “performancë të shkëlqyeshme” në mbledhjen e hyrave gjatë periudhës janar-gusht 2023, ku thuhet se janë grumbulluar 572.2 milionë euro.

Siç njofton ATK, në krahasim mes periudhave të njëjta 2022-2023 ka një rritje për 92 milionë euro.

“Këto rezultatet pozitive tregojnë një përmirësim të qëndrueshëm të punës së këtij institucioni kyç për të hyrat shtetërore”, thuhet në njoftimin e bërë nga ATK-ja.

Përmes kësaj mbledhjeje të të hyrave, ATK-ja “është përqendruar në ngritjen e performancës së saj në përmbushjen e objektivave të planifikuara dhe të menaxhuara me përgjegjësi”.

Nga ky institucion kanë bërë të ditur edhe disa objektiva të tyre që thonë se kanë dhënë efekt, si  “përmirësimi i efikasitetit: ATK ka arritur të rrisë efikasitetin e punës së saj në proceset e mbledhjes së të hyrave, duke zvogëluar kohën e pritjes për tatimpaguesve dhe duke lehtësuar procedurat e tyre”.

“Zbatimi i ligjit dhe ngritja integritetit: ATK e ka të theksuar zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit në të gjitha nivelet e punës së saj, duke garantuar transparencën dhe drejtësinë në trajtimin e tatimpaguesve”.

“Ndërveprimi me publikun: institucioni ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me tatimin dhe ka ndërtuar marrëdhënie të mira me tatimpaguesit, si dhe me qytetarët”.

Po ashtu, ATK-ja ka theksuar edhe se ka qenë edhe “automatizimi i proceseve të punës: përdorimi i teknologjisë dhe automatizimi i disa proceseve ka ndihmuar në zvogëlimin e gabimeve dhe në lehtësimin e punës së administratës, në veçanti të marrjes së shërbimeve nga tatimpaguesit”.

“Rezultatet pozitive të kësaj mbledhjeje tregojnë angazhimin e Administratës Tatimore të Kosovës për të përmbushur detyrat e saj në mënyrë të ndërgjegjshme dhe profesionale”.

Sipas tyre, ky është “një përmirësim i rëndësishëm në zhvillimin e sistemit tatimor të vendit”, i cili “ndihmon në sigurimin e burimeve të nevojshme për të përmirësuar shërbimet publike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore