Lajme

Mbi 21 operacione të kancerit të gjirit u kryen më shumë në 2023: Pacientët s’kanë nevojë të shkojnë për trajtim jashtë vendit


Foto: ShSKUK.

Shërbimi Spitalor Klinike Universitare i Kosovës (ShSKUK), ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 janë kryer mbi 170 operime.

ShSKUK-ja, përmes një komunikate për media ka thënë se gjatë vitit 2022 ishin kryer mbi 140 operime.

“Është rritur numri i operacioneve të karcinomës së gjirit, në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Torakale, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”.

“Bazuar në statistikat e kësaj klinike, vetëm këtë vit, deri më tani, janë kryer 172 operacione të karcinomës së gjirit, kurse tërë vitin 2022, ishin kryer 149 raste”, thuhet në komunikatën e ShSKUK-së.

Ndërsa është apeluar tek pacientët që shërbimet t’i marrin në institucionet vendore.

“Pacientet që kanë nevojë për operacion pas karcinomës së gjirit, nuk kanë nevojë të shkojnë për trajtim jashtë vendit, ngase klinika ka numër të mjaftueshëm dhe profesional të mjekëve dhe stafit që kryejnë të gjitha llojet e operacioneve të gjirit”.

“Për operacion, pas karcinomës së gjirit, nuk ka listë të pritjes dhe të gjitha gratë që kanë nevojë për operacion trajtohen me prioritet nga mjekët e klinikës”.

Muaji tetor në gjithë botën shënohet si muaj i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat, në të gjithë botën.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore