Shqipëria

Mbërrin në forumin e Bled-it kryeministri Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur në Forumin Strategjik të Bled-it, në Slloveni, ku do të diskutohen tema kyçe lidhur me Evropën Qëndrore dhe Juglindore, krizën e rendit shumëpalësh dhe përgjigjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj sfidave në zhvillim.

Në fotot e siguruara nga redaksia e Albanian Post prej ngjarjes politike, kryeministri është parë i shoqëruar me një sërë figurash politike me rëndësi, përfshi ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Agresioni rus kundër Ukrainës dhe zgjerimi evropian në këtë kohë krize janë dy temat kryesore mbi të cilat do të ndërtohet diskutimi.

E pikërisht për këtë të fundit, fjalën do ta mbajë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Lideri i Qeverisë shqiptare do të jetë në një panel me kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob, presidentin e Islandës, Guðni Th. Jóhannesson, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç dhe presidenten e Moldavisë, Maia Sandu.

Por përpara diskutimit të liderëve një hapësirë adresimi nëpërmjet një videoje do ta ketë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Më pas debati, që pritet të parashtrohet për panelistët dhe pjesëmarrësit, do të jetë ai i dinamikave të reja mbi të ardhmen e Evropës.

Në ditën e dytë të Forumit diskutimet do të përqendrohen në situatën e fqinjësisë evropiane, ndihmën dhe rindërtimin e Ukrainës, pasojat e agresionit rus në sigurinë ushqimore dhe energjitike në Evropë.

Bisedimet do të prekin edhe të ardhmen e ekonomisë globale, bashkëpunimin në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe sfidat e evropiane të sigurisë.

Forumi Strategjik i Bled-it është një platformë jozyrtare, ku pjesëmarrësit e nivelit të lartë diskutojnë mbi sfidat politike, të sigurisë dhe të zhvillimit me të cilat përballet Evropa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore