Shqipëria

“Mata ka mashtruar publikisht”, thotë Zhupa pas deklaratës së tij për Raportin e UNESCO-s mbi Butrintin


Ina Zhupa – deputete e Partisë Demokratike – ka reaguar në lidhje me raportin e UNESCO-s, që kundërshton koncesionin e Butrintit.

Ajo ka thënë se nënkryetari i Bordit të Drejtorëve të koncensionarit të Butrintit, Martin Mata, ka thënë disa të pavërteta.

Zhupa ka ravijëzuar se Mata ka mashtruar publikisht.

“Të pavërtetat e intervistës së Martin Matës janë të shumta, janë aq shumë sa nuk e kuptoj si i doli koha në 4 minuta sinkron”, ka thënë ajo.

Raporti i UNESCO-s për Butrintin nuk sulmon dhe as kritikon Planin e Menaxhimit, sipas AADF

Sipas saj, ai ka mashtruar publikisht në intervistën me Zërin e Amerikës se “raporti i UNESCO-s nuk sulmon dhe nuk bën kritika… jo vetëm bën kritika, por e kundërshton dhe përmend AADF specifikisht ku Mata është CEO, si të papërshtatshme, që nuk ofrojnë zgjidhjet që duhet për mbrojtjen e Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Butrintit”.

Zhupa ka vijuar duke thënë se Mata është goditur nga raporti dy herë, një herë si koncensionar AADF, si të papërshtatshëm, që nuk ofrojnë zgjidhje dhe një herë tjetër si individ, anëtar i bordit të fondacionit që e merr Butrintit.

Sipas deputetes, Mata duhet të jepte dorëheqjen dhe jo të jepte intervistë “sepse ka marr përsipër të bëj një punë që nuk e kupton dhe kështu na dëmton pasurinë tonë të mbrojtur UNESCO”.

Ndër të tjera, Zhupa i është drejtuar Matës duke i thënë se “nuk do e bësh dot Butrintin si Davosi me hotele, me qendra biznesi, e me restorante e salla konferencash”.

“Nuk do lejojmë që trashëgimia jonë, identiteti, historia për të cilën jemi krenar të jepet me koncesion! As për Ju, edhe as për askënd tjetër në këtë tokë”, ka theksuar ajo.

Reagimi i Zhupës vjen pas intervistës së dhënë për Zërin e Amerikës nga Mata, i cili ka thënë se “raporti i UNESCO-s nuk sulmon dhe nuk bën kritika për Planin e Menaxhimit të Butrintit, por shpreh një shqetësim të drejtë për dy çështje: për menaxhimin e gjithë sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Butrintit dhe për dakordësimin midis autoriteteve shqiptare dhe të UNESCO-s, për çdo ndryshim të tij”.

Mata ka shtuar se “Fondacioni Shqiptaro-Amerikan ka zgjedhur heshtjen lidhur me procesin që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese lidhur me marrëveshjen për Butrintin pasi palët duhet të presin me durim dhe të respektojnë vendimin që gjykata do të marrë”.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit është pjesë e marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës për menaxhimin e ri të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Sa i përket raportit, ai është kritik me autoritetet shqiptare për ndryshimin e kufijve të Parkut pa vënë në dijeni dhe pa miratimin e UNESCO-s, si dhe për formën e re të menaxhimit vetëm të një pjese të vogël të Parkut Kombëtar, që përfshin qytetin antik, duke lënë jashtë nën zonat e tjera.

Mata ka thënë se ishin në dijeni të misionit të UNESCO-s në Shqipëri.

“Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka qenë pjesë e vizitës dhe e bisedave që ekspertët nga UNESCO-s bënë kur erdhën në Shqipëri për të hartuar raportin në fjalë. Kështu që mund të themi që AADF ka qenë në dijeni që do të shkruhej një raport dhe me shumë korrektesë dhe në përputhje me të gjithë kërkesat e tyre ka dhënë atë informacion që i është kërkuar për rolin dhe pjesën që do të luante AADF në menaxhimin e Butrintit”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore