Lajme

Masakra e Reçakut ndryshoi politikën e SHBA-së ndaj Kosovës


Bill Clinton, Tony Blair dhe Madeleine K. Albright

Pasditen e 15 janarit, derisa Uashingtoni u paralizua nga një stuhi akulli, këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të Presidentit Bill Clinton zbritën në Dhomën e Situatave. Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright ushtronte presion – duke humbur për momentin – për rritjen e shkallës ndërhyrëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s në Kosovë.

Të gjithë në katin e poshtëm të Shtëpisë së Bardhë u pajtuan se Presidenti i Jugosllavisë Sllobodan Milloseviç “coptoi” premtimet për vetëpërmbajtje ndaj rebelëve shqiptarë në Kosovë. Albright deklaroi se kjo gjë nuk po funksiononte dhe kishte ardhur koha për të kufizuar përdorimin e forcës me një marrëveshje të përgjithshme mes Serbisë dhe Kosovës.

Bashkëpunëtorët e kryediplomates amerikane në kabinetin qeveritar apo ndryshe Komiteti i Përgjithshëm – jo më pak të frustruar sesa Albright – ende nuk ishin të gatshëm për të ndërmarrë këtë rrezik. Ata miratuan një “Strategji për Kosovën” që u klasifikua në një dokument prej 13 faqesh e të cilën zyrtarët e lartë shtetërorë e cilësonin jo-zyrtarisht si “Status Quo Plus”.

“Ne jemi thjesht brejtës që vrapojnë rreth një boshti”, u ankua Albright e bindur se asnjë përpjekje graduale nuk do ta ndalonte shpërthimin e luftës. Edhe në epokën satelitore, vendimet e Shtëpisë së Bardhë dukeshin të vjetëruara që në fillim. Ata nuk e dinin se mbi 6 mijë kilometra përtej oqeanit, në një fshat të Kosovës të quajtur Reçak, mbi 40 civilë u masakruan.

Një rikonfigurim i procesit vendimmarrës në Uashington dhe Bruksel, ku ndodhet selia e NATO-s, sugjeron se Reçaku e shndërroi politikën ballkanike të bashkësisë perëndimore – ashtu siç rrallë herë bëjnë ngjarjet e veçanta.

Mizoria që u zbulua një ditë më vonë, bindi administratën dhe pastaj aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO se përpjekjet gjashtëvjeçare për të mbajtur konfliktin nën kontroll kishin dështuar. Në dy javët e ardhshme, ata braktisën theksin mbi kontrollin e konfliktit që ishte rritur përgjatë viteve nga një kërcënim me një fjali të dhënë më 24 dhjetor 1992.

Clinton, brenda dy ditëve, njoftoi kryeministrin britanik Tony Blair dhe në fund të janarit u dha pëlqimi për luftën e parë të NATO-s dhe konfliktin më të rëndësishëm në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Duke u marrë me Kosovën, ju po merreni me thelbin e problemit”, tha Albright në një intervistë, duke iu referuar luftërave ballkanike të viteve 1990. “Politika nacionaliste e Millosheviçit u themelua mbi çështjen e Kosovës dhe vetëm duke shkuar në rrënjë, perëndimi mund ta ndalonte të luante pikërisht me kartën që ishte krijuar për kaos”, shtoi ajo.

Megjithatë, në tre javët e para, një fushatë ushtarake, qëllimi i së cilës ishte shpëtimi i jetëve dhe shtëpive të shqiptarëve etnikë të Kosovës, përshpejtoi masakrat dhe dëbimet. Intervistat dhe dokumentet e brendshme sugjerojnë se një numër përllogaritjesh dhe zgjedhjesh nga administrata e Clintonit gjatë vitit të kaluar kontribuan në këto efekte të padëshiruara.

Megjithëse politikëbërësit konsideruan mundësinë që bombardimet do të nxisnin forcat serbe drejt ashpërsimit të dhunës – Albright e konsideroi ndër “surprizat” e tjera të mundshme të luajtura në një memorandum të klasifikuar muajin e kaluar – ata i vlerësuan gabim ambiciet e Millosheviçit.

Politikëbërësit në përgjithësi supozuan se udhëheqësi serb do të përpiqej të zhdukte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – mburrej se mund ta bënte brenda pesë deri në shtatë ditë. Ata nuk parashikuan përpjekjet serbe për të shpopulluar Kosovën nga 1.6 milionë shqiptarë etnikë, rreth dy të tretat e të cilëve tani janë të pastrehë dhe shumë mijëra supozohen të vdekur.

Ndërsa pranoi se Millosheviçi e konsideronte humbjen e Kosovës si një kërcënim për pushtetin e tij në Beograd, administrata amerikane mori një vendimin taktik vendimtar: kërkoi së pari një marrëveshje me shqiptarët e Kosovës, ndërsa së dyti me vetë Millosheviçin.

“Ai mund të supozojë se mund të përballojë një sulm të kufizuar dhe aleatët nuk do të mbështesin një fushatë të gjatë”, deklaroi më 27 janar e përditshmja e Inteligjencës Kombëtare e CIA-s, e cila më pas u shpërnda te dhjetëra vendimmarrës të lartë në Shtëpinë e Bardhë.

Një skenar i 6 shkurtit supozoi se Millosheviçi mund të “pranojë një forcë të madhe tokësore të NATO-s, por vetëm nëse atij i jepet një formulë për të shpëtuar fytyrën që do t’i lejonte atij ta portretizonte këtë si ruajtje të Kosovës brenda Serbisë”. Një tjetër, në të njëjtin muaj, tha se “Milosheviçi do të kërkojë të japë mjaftueshëm për të shmangur bombardimet e NATO-s”.

Kufizimet e aleancës dhe politikës së brendshme e shtynë njëkohësisht Clintonin në drejtime të kundërta: të rrisë aksionet ndërhyrëse duke kufizuar mjetet në dispozicion. Katër partnerët kryesorë evropianë të Uashingtonit – Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia – nuk ishin të gatshëm të përdornin forcën në Kosovë pa një plan për një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

E bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhej të ofronin trupa tokësore për të ndihmuar në zbatimin e çdo marrëveshjeje paqeje, sekretarja amerikane e shtetit u ndje e detyruar të kufizonte propozimin në atë mënyrë që disa politikëbërës e shihnin si vetë-shkatërruese.

“Supozimi ynë ishte se ne duhej të gjenim mënyra për të minimizuar përqindjen e trupave amerikane dhe të theksonim një ‘mjedis lejues’ nëse kishte ndonjë shpresë për ta blerë nga Pentagoni, presidenti dhe kongresi”, nënvizoi një këshilltar i përfshirë në hartimin e planit të Albrightit.

Clinton, me logjikë të ngjashme, nga frika e një debati përçarës të kongresit dhe aleatëve, deklaroi pas fillimit të bombardimeve se “unë nuk kam ndërmend t’i vendos trupat amerikane në Kosovë për të luftuar”.

Një politikëbërës tjetër shtoi: “Komuniteti ynë i inteligjencës mund të ketë supozuar, siç duket të ketë bërë Millosheviçi, se ne do të bombardonim siç kishim bërë në Irak – do t’i goditnim për tre ditë dhe pastaj do të ndalonim, pavarësisht nëse e përmbushëm misionin apo jo”.

Clinton dhe këshilltarët e tij të lartë janë më të bindur se kurrë se po bëjnë gjënë e duhur. Në pyetjen se si do të jetë në gjendje të korrin sukses në një luftë që solli katastrofën e refugjatëve që u përpoq të shmangte, zëvendëssekretari i Shtetit Strobe Talbott u përgjigj: “Shumë e thjeshtë. Ata po shkojnë në shtëpi. Ata po kthehen në një Kosovë që është e sigurt”.

Një politikë e themeluar mbi kërcënimet

Imazhi i Kosovës si “kutia ndezëse” e Evropës, ku lufta mund të sillte jo vetëm pasoja humanitare, por edhe strategjike, i parapriu administratës së Clintonit. Presidenti George Bush, sekretari i të cilit, James A. Baker III, kishte thënë në mënyrë të famshme për Bosnje-Hercegovinën se “ne nuk kemi qenë në luftë”, ndihej ndryshe për Kosovën.

Lufta sigurisht që do të përfundonte shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë që filloi në vitin ’91, besonte ai, dhe mund të tërhiqte lehtësisht fqinjët nga Bullgaria në Turqi dhe në Greqi. Lawrence S. Eagleburger, në ditët e fundit të Bushit, dërgoi një kabllogram të klasifikuar në Beograd me udhëzime që ambasadori t’ia lexonte Millosheviçit – fjalë për fjalë dhe ballë për ballë.

Teksti i 24 dhjetorit 1992, i cili është përshkruar gjerësisht, por jo i cituar më parë, lexonte në tërësi si vijon: “SHBA-të, në rast konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, do të jenë të përgatitura të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”.

Ajo fjali e vetme u bë baza për gjashtë vjet të politikës së SHBA-së: një kërcënim i papërcaktuar, për të parandaluar akte të paspecifikuara të përshkallëzimit nga Serbia. Në pyetjen se çfarë mund të ketë shkaktuar dënimin e SHBA-së dhe se deri ku mund të shkonte Bushi, nënsekretari i shtetit atëkohë Arnold Kanter u përgjigj: “Unë me të vërtetë nuk e di”.

Sekretari i Shtetit Warren Christopher urdhëroi përsëritjen e këtij paralajmërimi ndaj Millosheviçit në shkurt dhe korrik 1993. Në kohën kur Millosheviçi nisi ofensivën e tij të parë serioze në Kosovë – duke filluar afër Drenicës më 26 shkurt 1998 – dy gjëra kishin ndryshuar. E para ishte ngritja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kur planifikuesit e mbrojtjes u takuan një vit më parë në Shtabin e Përbashkët dhe në zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes William S. Cohen njëri prej tyre tha: “Pyetja e parë që duhej të bënim ishte nëse Kërcënimi i Krishtlindjeve ishte ende mbi tavolinë. Dhe fakti është se nuk ishte në tavolinë. Ne nuk ishim të përgatitur për veprime të njëanshme”.

Udhëheqje nëpërmjet retorikës

Albright, e cila përdori pozitën e saj në tavolinën e kabinetit si ambasadore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të bërë presion të pasuksesshëm gjatë mandatit të parë të Clintonit për ndërhyrjen e mëparshme në Bosnje-Hercegovinë e pa Kosovën si një shans për të korrigjuar gabimet historike.

Në ditët e para të marsit 1998, sekretarja e shtetit kishte filluar një përpjekje të vetëdijshme – siç theksoi një ndihmës – “për të udhëhequr përmes retorikës”. Objektivat e saj ishin aleatët evropianë, opinioni publik i SHBA-së dhe qeveria e saj.

Në një ndalesë në Romë më 7 mars 1998, rrugës për në një takim të gjashtë fuqive të huaja të njohur si Grupi i Kontaktit për Ballkanin, ajo deklaroi në një konferencë të përbashkët me kryeministrin italian Lamberto Dini: “Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq dhe të shikojmë autoritetet serbe të bëjnë në Kosovë atë që nuk mund ta bëjnë më në Bosnje-Hercegovinë”.

“Historia po na shikon dhe ne kemi një mundësi për të kompensuar gabimet që ishin bërë katër ose pesë vjet më parë”, potencoi Albright. Synimi i saj, deklaroi më pas një zyrtar amerikan, ishte t’i “vendoste ministrat nën presion për të treguar pak shtyllën kurrizore”.

Rezoluta 1160 e Këshillit të Sigurimit të Organizatë s Kombeve të Bashkuara vendosi sanksione ekonomike ndaj Beogradit më 31 mars dhe Clinton ngriu asetet e Jugosllavisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por pranvera dhe vera sollën masakra më të llahtarshme dhe një çerek milionë shqiptarë mbetën përkohësisht të pastrehë.

Cohen, në mbledhjen e NATO-s në qershor, u kërkoi kolegëve të tij të autorizojnë komitetin ushtarak për të filluar planifikimin konceptual për ndërhyrjen në Kosovë. Kur ministrat e mbrojtjes u mblodhën përsëri në Portugali tre muaj më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana tha në mbledhjen me dyer të mbyllura se serbët po talleshin me aleancën.

Solana nënvizoi se një diplomat serb, të cilin ai nuk e përmendi drejtpërdrejtë, shkoi aq larg sa të bënte shaka se “një fshat në ditë e mban NATO-n larg” – një frazë që Solana do ta përsëriste shpesh në muajt e ardhshëm.

Uashingtoni, gjatë gjithë kësaj periudhe, shpenzoi pjesën më të madhe të kapitalit të tij politiko-ushtarak në konfrontimin e vazhdueshëm me Irakun. Por periudha midis dy mbledhjeve të NATO-s hasi në një debat të brendshëm dhe të furishëm nëse aleanca mund të vepronte ushtarakisht pa autoritet të qartë nga Këshilli i Sigurimit.

Më 13 tetor erdhi “urdhri i parë i aktivizimit” në historinë e NATO-s, një marrëveshje formale për të autorizuar bombardimin e Jugosllavisë. Por pa dijeni në atë kohë, Këshilli i Atlantikut të Veriut miratoi vetëm Fazën I të fushatës ajrore trefazore, që arrinte në rreth 50 objektiva të mbrojtjes ajrore.

Ndëshkimi i vërtetë i Beogradit do të vinte në fazën II me “dhjetëra objektiva” dhe në fazën III me “qindra e qindra objektiva”, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Emisari Special i Shteteve të Bashkuara Richard Holbrooke e bindi Millosheviçin të pranonte një armëpushim në Kosovë dhe të tërhiqte trupat dhe policinë speciale.

“Pra, ju jeni ai që do të na bombardoni”, citohet t’i ketë thënë Millosheviçi me një zë që nuk mund ta frikësonte gjenerallejtënantin e Forcave Ajrore Michael Short i cili shoqëronte Holbrookun. “Unë kam U-2 [avion vëzhgues] në njërën dorë dhe B-52 në tjetrën, dhe varet nga ju se cilin do të përdor”, u përgjigj prerazi Short.

Vlerësimi i Inteligjencës Kombëtare i lëshuar në nëntor arriti në përfundimin se “marrëveshja e tetorit tregon se Millosheviçi është i ndjeshëm ndaj presionit të jashtëm. Ai përfundimisht do të pranojë rezultatet, nga autonomia në statusin e përkohshëm me zgjidhjen përfundimtare që do të përcaktohet, për sa kohë që ai mbetet lider i padiskutueshëm në Beograd”.

Megjithatë, sipas vlerësimit, Millosheviçi do të pranonte një status të ri për Kosovën “vetëm kur ai beson se fuqia e tij rrezikohet” nga “kryengritësit që rrisin kostot ekonomike dhe ushtarake të mbajtjes së krahinës, ose nga Perëndimi që kërcënon të përdorë ushtri të qëndrueshme dhe pushtet vendimtar kundër forcave të tij”.

Ndërkohë, vëzhguesit evropianë të paarmatosur që i raportonin ambasadorit William Walker, përjetonin takimet më të këqija me serbët. Gjatë gjithë vjeshtës së vonë dhe dimrit, ndërsa Clinton kaloi prapa bombardimit të Irakut, politikëbërësit e nivelit të mesëm po debatonin se si të shpëtonin marrëveshjen e tetorit të Holbrookut.

Ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Christopher Hill, i cili shërbeu si negociator i posaçëm për Kosovën, propozoi të forconte ekipin verifikues të Walkerit me helikopterë dhe truproja dhe të fillonte trajnimin e policisë shqiptare dhe planifikimin e një zgjedhjeje për të cilën Millosheviçi ende nuk kishte rënë dakord.

“Objektivat tona themelore strategjike mbeten të pandryshuara: promovimi i stabilitetit rajonal dhe mbrojtja e investimeve tona në Bosnje; parandalimi i rifillimit të armiqësive në Kosovë dhe i krizës së përtërirë humanitare; ruajtja e besueshmërisë së SHBA-së dhe NATO-s”, thuhet në dokumentin e klasifikuar, duke përmbledhur gjendjen në terren më 15 janar.

Masakra në Reçak

Raportet e pasdites së vonë për luftimet e asaj dite sollën në Raçak një ekip nga Misioni Verifikues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Në mbrëmje, ata kishin gjetur vetëm një fshatar të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur. Por të nesërmen Walker shoqëroi një ekip të dytë në një luginë me dëborë nëpër një kodër me pamje nga qyteti.

Nënkoloneli i ushtrisë amerikane Michael Phillips thirri Qendrën Operative të Departamentit të Shtetit dhe filloi të diktonte një raport të frikshëm. Nga atje raporti u zhvendos në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, duke kaluar në duart e Bergerit para agimit. Albright kujtoi se për herë të parë kuptoi për masakrën rreth orës 4:30 të mëngjesit të së shtunës.

Inteligjenca austriake kohët e fundit i kishte transmetuar NATO-s zbulimin se Beogradi palanifikoi një ofensivë të madhe pranverore të koduar Operacioni Patkoi. Alarmet e mëvonshme të inteligjencës dhanë vlerësime të ndryshme, nga mesi i marsit deri në fillim të prillit. Kur Albright mësoi për masakrën e Reçakut, ajo telefonoi Bergerin. Pranvera erdhi herët në Kosovë, tha ajo.

James Steinberg, zëvendësi i Bergerit në Shtëpinë e Bardhë, pranoi thirrjen e zgjimit direkt nga Raçaku në orën 6 të mëngjesit të 16 janarit. Walker “telefonoi në shtëpi dhe ofroi një pamje të dorës së parë. Reagimi im i parë: kjo ishte pikërisht ajo që kishim frikë. E dyta, kjo është arsyeja pse ne donim forca vëzhguese atje”.

Albright tha se ishte koha për të diskutuar elementet e një ultimatumi me aleatët. Dhe ishte gjithashtu koha, tha ajo, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të heqin dyshimet nëse do të merrnin pjesë në një forcë tokësore zbatuese nëse arrihet një marrëveshje paqeje për Kosovën.

Cohen, sipas një pjesëmarrësi në takim, deklaroi se bisedat për trupat tokësore – madje edhe ato të ftuara nga Beogradi – ishin të parakohshme. Por as ai dhe as gjenerali Henry H. Shelton, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, nuk e mbajtën këtë pikëpamje shumë gjatë.

Ekipi i Clintonit u bashkua me shpejtësi rreth disa elementeve të një plani: “Njëri ishte për të bërë një kërcënim të besueshëm të forcës ushtarake. Tjetra ishte për të kërkuar pjesëmarrjen e palëve në një takim në të cilin kryetari do të vendosej paraprakisht nga Grupi i Kontaktit, duke përfshirë Rusinë. Parimet bazë ishin të panegociueshme”.

Nuk ka kthim mbrapa

Më 30 janar, ministrat e NATO-s miratuan “urdhrin e dytë të aktivizimit” për t’u përgatitur për luftë. Ndryshe nga ai i 13 tetorit, ky urdhër bëri thirrje për të mos u ndalur edhe pas 50 objektivave në fazën I dhe atyre që do të pasojnë. Clinton, më 1 shkurt, u takua me ekipin e tij të politikës së jashtme. Askush nuk foli se çfarë do të ndodhte nëse bombardimi nuk do të funksiononte.

Albright, në fazën përfundimtare, i kërkoi drejtorit të planifikimit të politikave Morton Halperin dhe të tjerëve që të kërkonin skenarë të pakëndshëm që nuk ishin marrë në konsideratë plotësisht. Ata u kthyen me një shënim prej pesë faqesh të titulluar “Surprizat”.

Ndër frikërat kryesore: shqiptarët do të refuzonin marrëveshjen; do të fillonin operacionet ushtarake; Millosheviçi do të kombinonte një ofensivë të rreme paqeje me luftime të vazhdueshme të nivelit të ulët; NATO do të pengonte në fund nisjen e fushatës ajrore; Rusia do të ngrinte kundërshtime shumë më të fuqishme, ndoshta duke përfshirë ndihmën ushtarake për Beogradin.

CIA, deri më 16 mars, u dërgoi një alarm vendimmarrësve të lartë: “Kosova – Ofensiva e Serbisë është afër”. Dy ditë më vonë, shqiptarët e Kosovës më në fund nënshkruan marrëveshjen e propozuar. E njëjta ditë, sipas llogarive të inteligjencës, shënoi fillimin e operacionit Patkoi.

Holbrooke udhëtoi për herë të fundit në Beograd më 22 mars. Gjenerali Geroge Keyes nga Shtabi i Përbashkët i tregoi shefit të shtabit jugosllav të nesërmen në mëngjes se NATO i dinte emrat dhe lokacinaet e të gjitha njësive kryesore jugosllave. “Nëse ne fillojmë të bombardojmë, ju do të njiheni si djaloshi që shkatërroi 50 vjet të pavarësisë ushtarake jugosllave”.

Albright, pas 23 ditësh sulme ajrore, u shpreh e sigurt në një intervistë, siç deklaroi edhe një njeri i besuar i saj, se bombardimi i Serbisë është thjesht “gjëja më e rëndësishme që kemi bërë në botë”. “Unë mendoj se ne kemi treguar se kjo lloj gjëje nuk mund të qëndrojë, se nuk mund të keni në vitin 1999 këtë lloj spastrimi etnik barbar”.

(Washington Post, 18 prill, 1999)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore