Sport

Martin Odegaard pranë transferimit në Arsenal


Futbollisti i Real Madrid-it, Martin Odegaard, është shumë pranë transferimit te klubi i Arsenal.

Odegaard luajti i huazuar tek Arsenal në gjashtë muajt e fundit, ku pati 20 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar edhe dy gola.

Paraqitjet e tij me klubin nga Londra, si duhet i kanë pëlqyer trajnerit Mikel Arteta, i cili po e kërkon me ngulm futbollistin norvegjez.

Gjithashtu edhe trajneri i Reali Madrid-it, Carlo Ancelotti nuk e përfshiu futbollistin në listën e lojtarëve në kampionat, duke konfirmuar se ai nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin e ri dhe kjo ka bërë të kuptohet se tani më Odegaard nuk do të vazhdojë karrierën në Madrid.

Klubi i Realit e vlerëson 35 milionë euro kartonin e futbollistit dhe është i gatshëm për një tjetër huazim një vjeçar, por këtë herë me detyrim blerje në fund të sezonit.

Edhe menaxherët e Odegaard tani gjenden në Londër, për të përmbyllur përfundimisht detajet e fundit të transferimit të 22-vjeçarit në “Emirates Stadium”.

Marrëveshja pritet të mbyllet gjatë orëve të ardhshme, me Odegaard që pritet të luajë sezonin e ardhshëm me fanellën e Arsenal-it.

Kujtojmë që Odegaard u transferua në Madrid në vitin 2015, për shumën e 2.8 milionë eurove nga skuadra norvegjeze Stromsgodset.

Atë kohë futbollisti ishte vetëm 16-vjeçar dhe erdhi si një talent premtues, por nuk gjeti shumë hapësira në formacionin e Real-it dhe u huazua te disa skuadra të tjera, çka bëri që forma e tij të bie.

Vlera e kartonit të futbollistit, sipas “transfermarkt” është 40 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore