Lajme

Marrëveshje e re për targat s’u arrit, e vjetra skadon sot – çfarë ndodh tash?


Targat

Këtë të enjte ishte dita e fundit kur Kosova e Serbia kishin një marrëveshje të përkohshme për targat dhe, për këtë arsye, ishin mbledhur në Bruksel delegacionet e dy shteteve që, në prani të ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian, të gjejnë një alternativë për ujdi të përhershme.

Megjithatë, siç njoftoi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit trepalësh (delegacionet dhe përfaqësuesi i BE-së), s’ka asgjë të re – dy delegacionet s’u morën vesh.

Por, çfarë ndodh tash, kur marrëveshja e vjetër skadoi dhe e reja s’u bë?

Tani, meqë ekipet s’kanë arritur t’i pajtojnë teknikalitetet për një marrëveshje, është krejtësisht në dorën e liderëve shtetërorë (Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç) për të marrë një vendim politik për situatën.

Përkundër se aktualisht pa një marrëveshje, Bislimi u tha mediave se “nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm”.

Ai pohoi se “do të ketë gjithçka të përgatitur mirë dhe të dakorduar edhe me komunitetin ndërkombëtar”.

“Gjithçka do të jetë në funksion të vendosjes së rendit”.

I pyetur se si procedohet deri te një marrëveshje e re, zëvendëskryeministri i Kosovës pohoi se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësojë sikurse Serbia.

“Ndërkaq, për tabelat ‘KM’ të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale, do të ofrohet një opsion se si kalojmë te targat normale”.

Për mosarritjen e marrëveshjes, Bislimi e ka bërë fajtore krejtësisht palën serbe.

Ai deklaroi që, sidomos pas takimit që pati me përfaqësuesin serb Petar Petkoviç, u bind se Serbia nuk do zgjidhje.

“Edhe sot kur u konfrontuam me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë nga grupi punues te kryenegociatorët për një periudhë tranzitore prej 30 ditësh, edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojmë”.

“Kështu që mund të them që marrëveshja për targat apo ideja për arritjen e marrëveshjes për targa ka përfunduar pa sukses”.

Marrëveshja që duhej të zëvendësohej sot, e enjte, ishte një marrëveshje e përkohshme për targat, sipas së cilës me letra ngjitëse të bardha mbulohen simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja në fjalë ishte arritur me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa reciproke ndaj Serbisë lidhur me targat dhe kjo rrjedhimisht ishte arsyeja që serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan për dy javë rrugët për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Si erdhi deri te kjo marrëveshje që skadoi sot?

Albanian Post pat realizuar një dokumentar në kuadër të emisionit MEMORY, që flet për gjithçka ndodhi në atë kohë. Nga tensionimi i situatës e deri te marrëveshje e përkohshme.

(S)ËSHTË PUNË TARGASH

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore