Lajme

Mariupol, një letër nga qyteti i rrethuar: “Vëllai im, nëna është e varrosur te kopshti”


Copëza e letrës mbërriti në xhepin e një prej 40 mijë personave të zhvendosur që u larguan nga Mariupoli javën e fundit. Është shkruar nga një burrë, ndoshta një djalë, ndoshta një ushtar që mbron qytetin dhe i drejtohet vëllait të tij me emër, mbiemër, numër telefoni, adresë, numër apartamenti.

Marrësi i mesazhit quhet Dimitri, por vëllai që mbeti në rrethim i drejtohet me zvogëlimin që përdornin kur loznin në familje, duke qeshur, “Dima”.

Në fillim të shkrimit, me pikë çuditëse, ka një apel për këdo që gjen letrën: “Bëjeni të ditur!”.

“Dima, nëna ka rënë më 9 mars”. Shkruan pikërisht kështu, sikur ajo të ishte një luftëtare.

“Shpejt, pothuajse pa e kuptuar. Pastaj shtëpia u shkatërrua, u dogj. Dima, më fal që nuk e shpëtova dot nënën! E varrosa nënën në oborrin e kopshtit”.

Nuk e dimë se sa kohë i ka marrë rruga për atë procesion intim. Në Mariupol është e rrezikshme të qëndrosh jashtë bunkerëve, bombat bien vazhdimisht, por djali ka arritur të gjejë forcën dhe guximin për të gërmuar varrin në tokën e ngrirë prej kohësh.

Na pëlqen të imagjinojmë se ato hapa me trupin e nënës në krahë ishin të njëjtat që ajo nënë, kur ishte e re, bënte çdo mëngjes me fëmijët për dore deri në kopsht: Dimitrin dhe vëllain e tij që fajëson veten se nuk e shpëtoi dot nënën.

Në fund të faqes, djali vizaton një lloj harte për të lejuar këdo, nëse ai vetë do të ketë vdekur, të gjejë varrin e nënës së tij. Kur të ketë mbaruar ky ferr. Pema, muri, tubat e ngrohjes qendrore. Dhe pastaj përkëdhelja e fundit në një shënim të vogël për të parandaluar që një lopatë të shkatërrojë dashurinë e tij: një thellësi prej dy metrash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore