Sport

Marco Asensio, xhevahiri i Madrid-it që po rikthen shkëlqimin e dikurshëm


Kur u shfaq për herë të parë në skenë në vitin 2016, Marco Asensio ishte një ndër talentët më premtues të Real Madrid-it.

Atë botë 20 vjeç, Marco Asensio debutoi me gol në Superkupën e Evropës përballë Sevilla-s.

Edhe sezonet pasardhëse ishin shumë të mira për të, deri në verën e vitit 2019.

Ai u bë lojtari i parë, dhe mbetet futbollisti i vetëm, që shënoi gol në debutimet e tij në Supërkupën e Evropës, Champions League, La Liga, Copa Del Rey, Superkupën e Spanjës dhe finalen e Champions League.

Duke parë aftësinë e tij që të ketë impakt në aspektin sulmues dhe ndeshjet e mëdha të klubit, madrilenët menjëherë i rinovuan kontratën deri në vitin 2023.

Mirëpo, gjatë verës së vitit 2019, në një ndeshje miqësore, Marco Asensio pësoi lëndim në ligamentet e gjurit, që e mbajti jashtë fushave pothuajse një vit të tërë.

Pas rikthimit, spanjolli kishte shumë vështirësi që të gjente veten dhe formën e dikurshme, duke humbur eventualisht minutat dhe mundësitë me madrilenët.

Gjatë verës, katër klube të mëdha e kërkuan në dispozicionin e tyre spanjollin, por Ancelotti nuk pranoi.

Dhe duket se refuzimi i trajnerit italian, ka dalë të jetë i duhuri.

Në 12 herë që Asensio është futur nga fillimi këtë sezon, ai ka shënuar tetë gola, duke qenë vendimtar në shumë fitore të madrilenëve këtë edicion.

E fundit erdhi përballë Granada-s, të dielën në mbrëmje.

Në një ndeshje që Real Madrid kishte vështirësi të gjente golin, Asensio u shfaq në skenë në minutën e 74-të për të shënuar me një predhë nga rreth 30 metra golin e fitores.

Kjo paraqitje e ka shndërruar atë në një emër, të paktën për momentin, të padiskutueshëm në 11-shen e Real-it.

Numri 11 i madrilenëve, duket se është shumë afër një rinovimi tjetër, që do ta mbante në skuadër deri në vitin 2028.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore