Lajme

Maqedonci: Mospranimi i krimeve nga pushteti serb është t’i dënosh me vdekje për së gjalli familjarët


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svleça dhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë është shprehur se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi, pasi sipas tij mospranimi i krimeve nga Serbia është “dënim me vdekje për familjarët”.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se lufta asnjëherë nuk do të harrohet, por që mund të ecim përpara kur të dimë për fatin e të zhdukurve me dhunë.

“Mospranimi i krimeve nga ana e pushtetit serb është t’i dënosh me vdekje për së gjalli familjarët e viktimave”.

“Është agonia që pengon ecjen para, qetësia që nuk mund të vendoset dhe e ardhmja paqësore që nuk mund të arrihet”.

“Lufta nuk mund të harrohet sepse nuk mund të harrohen ata që s’janë në mesin tonë, por do të mund ta tejkalojmë atëherë kur do të dijmë për fatin e të zhdukurve. Andaj si institucione ne nuk do të rreshtim asnjëherë së kërkuari drejtësi”, ka shkruar ai.

Ai ka kujtuar 1 mijë e 617 familje që vazhdojnë të jenë në pritje për fatin e tyre.

“1617 është numri i familjeve që për çdo ditë ua ndjejnë mungesën më të dashurve të tyre, që padrejtësisht e mizorisht janë zhdukur me dhunë nga policë, ushtarakë e paramilitarë serb, të udhëhequr nga politika shoviniste e gjenocidale e Millosheviqit”.

Maqedonci, ka shtuar se “mosdënimi i krimeve dhe i kriminelëve” nga Serbia është “tregues i vazhdimësisë së po të njëjtit mentalitet mohues që nuk përkon me realitetin”.

Në Kosovë të mërkurën e 30 gushtit u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Dhunë.

Më shumë se dy dekada pas luftës, mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të pagjetur – shumica shqiptarë.

Familjarët ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Ndërsa, është arritur edhe një Marrëveshje për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me 4 prill.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore