Lajme

Maqedonci: Hammmerstein lehtësoi komunikimin me të gjitha vendet – jo vetëm me Gjermaninë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe drejtori i deritanishëm i ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-së, Ralf Hammerstein.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci pas dorëzimit të detyrës së drejtorit të deritanishëm të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-së, Ralf Hammerstein, ka thënë se ai gjatë kësaj periudhe kishte lehtësuar koordinimin me shumë vende.

“Dua të shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj Gjeneralin Hammerstein për lehtësimin e komunikimit, koordinimin dhe bashkëpunimin jo vetëm me vendin e tij, Republikën Federale të Gjermanisë, por edhe me vende të tjera”.

Maqedonci, në fjalimin e tij ka vlerësuar rolin e deritanishëm të Hammerstein, duke thënë se ka dhënë një “kontribut të jashtëzakonshëm” në zhvillimin e kapaciteteve.

“Përmes angazhimit të tij, gjenerali ka ofruar kontribut të rëndësishëm në rritjen e efektivitetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke dhënë input në çdo proces që ndihmon në përmbushjen e standardeve të larta të kërkuara për anëtarësimin në NATO”, ka shkruar Maqedonci në rrjetin social ‘Facebook’.

“Jam i bindur që kudo që do të shërbeni ju do të mbeteni një mik i Kosovës dhe i popullit të saj, prandaj jeni gjithmonë i mirëseardhur që të na vizitoni”.

Hammerstein, më 21 dhjetor, kishte kërkuar që ketë më shumë ushtarë të KFOR-it, për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin meqë sipas tij, situata në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë e brishtë dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk po përparon ashtu siç është pritur.

Gjenerali gjerman kishte theksuar se Kosova dhe Beogradi ndjekin një politikë të sovranitetit dhe reciprocitetit maksimal, derisa ka shtuar se “kjo pastaj çon në konflikte të tilla si mosmarrëveshja e targave në nëntor të vitit të kaluar”.

Ndërsa për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Hammerstein kishte potencuar se mund të supozohet se ka pasur njëfarë bashkëpunimi nga ana e Serbisë.

Drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s: Do të ruajë mbështetjen për organizatat e sigurisë në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore