Muzikë

Manjola Nallbani “e nderuar” pas performancës në vizitën e Bill Clinton në Tiranë


Këngëtarja shqiptare Manjola Nallbani ka qenë një nga artistet e ftuara për të performuar me rastin e vizitës në Shqipëri të ish- presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Nallbani, e shquar për vokalin e saj të rrallë si dhe jetëgjatësinë në skenën e muzikës shqipe, ka ndarë më fansat e saj imazhe nga performanca në evenimentin e organizuar për Clinton, teksa i ka dedikuar atij fjalët më të mira.

Artistja ka shprehur mirënjohjen e saj karshi Clinton për rolin e tij në çlirimin e Kosovës si dhe sjelljen e paqes dhe stabilitetit në rajonin ballkanas.

Manjola Nallbani gjatë performancës në evenimentin pritës të Bill Clinton.

“Kënaqësi dhe nder i veçantë të takoja e të performoja jo vetëm për një ndër presidentët më të suksesshëm të SHBA-ve, por mbi të gjitha edhe për njeriun që luajti një nga rolet më të rëndësishme në lirinë e pavarësinë e Shqiptarëve të Kosovës, Bill Clinton”, ka mbishkruar Manjola.

Manjola falënderuese është shprehur edhe ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, derisa pranë të ftuarve ka interpretuar disa prej këngëve të saj më ikonike, përfshirë atë kushtuar Kosovës dhe luftës së vitit 1999 – “Lufton Drenica”.

Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, është dekoruar këtë të hënë me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.

Medaljen ia dha kreu i qeverisë së Shqipërisë Edi Rama, i cili ka shprehur konsideratën më të lartë për Clinton.

Bill Clinton në Tiranë.

“Tani kemi diçka të vogël për ta përfunduar me Hillary dhe Bill Clinton. Zoti President ju njeriu nga shpresa keni qenë me ne gjatë gjithë kohës përmes fjalëve dhe veprave tuaja, por sot jeni mes nesh për të na kujtuar mësimet nga një histori jo fort e largët, për të rikonfirmuar angazhimin e Amerikës ndaj paqes sonë dhe edhe njëherë të na thërrasësh në shpresë”, ka thënë ai.

Rama tha se nuk ka fjalë që mund ta shprehin mjaftueshëm përulësinë e thellë që “ndjej tashmë duke ju kërkuar me përulje të pranoni ‘Yllin e Mirënjohjes për Arritje Publike’”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore