Shqipëria

Manja: Nga rritja e pagave në njësinë antikorrupsion, deri te procedura e përkthyesve zyrtarë


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, të mërkurën e 7 prillit ka deklaruar se, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, janë miratuar tre projektvendime.

I pari kishte të bënte me njësinë antikorrupsion, ku është miratuar niveli i pagave për rrjetin e koordinatorëve.

“Kjo është një shprehje e vullnetit të qartë e qeverisë për të goditur korrupsionin”, deklaroi në fjalën e tij Manja.

I dyti kishte të bënte me ndryshimet në rregulloren e burgjeve, e cila përafrohet me atë të Bashkimit Evropian.

“Sot, më në fund, kemi në fuqi një rregullore të re për burgjet, i cili është dokument i rëndësishëm që garanton funksionimin e burgjeve, në përputhje me dokumentet kombëtare e ndërkombëtare”, theksoi ministri.

Më tej, ai shpjegoi se, “në rregullore kanë gjetur vendin edhe rekomandimin e organizatave ndërkombëtare, si dhe avokati i popullit. Është një rregullore bashkëkohore, që e afron Shqipërinë me BE-në, edhe në trajtimin e paraburgosurve”.

Projektvendimi i tretë kishte të bënte me procedurën për përkthyesit zyrtarë.

“Është një standard i ri, sidomos kur ka të bëjë me takime zyrtare. I njëjti trajtim dhe mbrojte siç marrim për magjistratët”, vijoi Manja.

Ndër të tjera, Manja tha se, nëse në Shqipëri ka asete ruse, do të ndërmerren masat.

“Shqipëria është pjesë e grupit të shteteve që kanë dënuar agresionin rus dhe bën pjesë në aleancën e shtesave që kanë vendosur sanksione. Është procec, të cilin po e udhëheq Ministria e Jashtme. Jemi në diskutime të ngushta me aleatët. Nëse do të kemi një listë të agresionit rus, patjetër që do të respektojmë angazhimet që kemi marrë përsipër”, e përmbylli Manja fjalën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore