Shqipëria

Manastirliu përshëndet vendimin e BE-së për heqjen e kufizimeve me Shqipërinë


Dakordësia e vendeve të Bashkimit Evropian për të hequr kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë është padyshim “një lajm i mirë”, sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Përmes një postimi në median sociale Facebook, ajo ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian (BE), për heqjen e kufizimit në udhëtime për Shqipërinë.

“Një lajm i shumëpritur për të gjithë shqiptarët por edhe një shenjë e mirë se po shkojmë drejt normalitetit që të gjithë dëshirojmë”, shkroi ministrja.

Ndërsa ka bërë sërish thirrje për të gjithë qytetarët të respektojnë masat parandaluese anti-covid, në vendin tonë.

Sipas saj, duhet “të mos e ulim vigjilencën, në këto metra të fundit drejt daljes nga tuneli i gjatë i pandemisë”.

Të mërkurën e 16 qershorit, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u dakordësuan për të hequr kufizimet e udhëtimit për tetë shtete. Mes tyre gjenden edhe tre shtete nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Këshilli i BE-së në maj hoqi zyrtarisht kufizimet për shtetasit e vendeve të treta, të cilat janë vaksinuar me dy dozat kundër COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore