Lajme

Maliqi: Ndërkombëtarët s’po i kushtojnë rëndësi “dy ujqërve” – Kurtit dhe Vuçiç-it


Shkelzen Maliqi

Situata rreth zgjedhjeve të 23 prillit në veri të Kosovës është absolutisht e panevojshme për Kosovën dhe Serbinë, e mbi të gjitha për serbët e Kosovës, por zgjedhjet do të organizohen për të dëshmuar këmbënguljen dhe kokëfortësinë e Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it.

Kështu tha filozofi, publicisti dhe analisti nga Kosova, Shkëlzen Maliqi, i cili në një prononcim për mediumin opozitar serb “Danas”, shprehu habinë më plogështinë pothuajse të plotë të faktorëve ndërkombëtarë kundrejt “dy ujqërve” – kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.

“Faktorët ndërkombëtarë pothuajse nuk i kushtojnë rëndësi dy ujqërve (mbiemri Kurti vjen nga fjala turke që do të thotë – ujk). Diplomatët që kanë punuar në fillim të zbatimit të marrëveshjes kanë bërë të ditur se temë e takimit të radhës do të jetë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”, tha Maliqi.

Megjithatë, shtoi Maliqi, trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) do të jenë në gatishmëri, ngase sipas tij, mund të ketë grupe dhe individë që do të donin të shkatërronin çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Por, besoj se situata do të monitorohet në mënyrë diskrete, sepse në vendvotime do të ketë vetëm zyrtarë, e jo votues, përveç atyre që do të dërgohen dhe udhëzohen nga Kurti dhe njerëzit e tij. Gjithçka do të jetë vetëm një shfaqje, dhe loja e vërtetë po ndodh diku tjetër”, përfundoi Maliqi.

Situata në pjesën veriore të Kosovës është duke u tensionuar disa ditë para se të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore në Kosovë. Zgjedhjet për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill.

Këto zgjedhje janë bojkotuar nga Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen edhe të Beogradit. Qytetarët që kanë të drejtë vote, përveçse në disa shkolla, do të votojnë edhe në kontejnerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore