Kosova

Maliqi: Asociacioni çfarëdo forme që ka, s’mund të bëhet një Republika Srpska


Shkelzen Maliqi

Kosova beson analisti politik, Shkelzen Maliqi, ka përfituar nga vonimi i ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë në vitet e 90-ta, për këtë arsye vetë-menaxhimi apo autonomia e serbëve në Kosovë, çfarëdo forme që do të ketë nuk do të jetë një përsëritje e Republikës Srpska.

Marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë fillimisht në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, sipas Maliqit, nuk është perfekte, por e zhbllokon procesin e dialogut.

“Është Marrëveshje e përkohshme. Çelësi për zgjidhjen e destabilitetit në Ballkanin Perëndimor është hyrja e shteteve mospjesëmarrës të rajonit në Ballkanin e Hapur si dhe në NATO, përfshirë Serbinë, pavarësisht kundërshtimeve. As Greqia nuk u bashkua me dëshirë në NATO, u deshën disa dekada që të mësoheshin me demokracinë”, ka thënë Maliqi, në një intervistë për mediumin Al Jazeera.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore