Lajme

Mali i Zi/ Qeveria po zhvillon mbledhje paralelisht me seancën e Kuvendit ku po diskutohet për fatin e saj


Qeveria e Malit të Zi

Është duke u zhvilluar mbledhje telefonike e Qeverisë së Malit të Zi, përkundër faktit se në Kuvend në të njëjtën kohë po diskutohet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, përcjell RTCG.

Sipas mediumit publik malazez, në rend të ditës është propozimi i Vendimit për kriteret e përcaktimit të bazës për marrjen e shtetësisë malazeze me pranim.

Kjo pika e rendit të ditës thuhet se është futur pa dijeninë e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), e cila ka punuar në përgatitjen e Vendimit.

Nga ana tjetër në Kuvendin e Malit të Ziështë duke u zhvilluar debati në seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të votohet për votëbesimin e Qeverisë së kryesuar nga kryeministri Zdravko Krivokapiç.

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë miratuar rendin e ditës së seancës, e cila filloi pas më shumë se katër orë vonesë, pasi që fillimisht ishte planifikuar të fillonte në ora 11:00.

Për rendin e ditës votuan 43 deputetë, kundër 12, 3 abstenuan, ndërsa gjithsej kanë votuar 58 deputetë, kurse të paktën 41 deputetë nevojitet të votojnë pro mocionit në mënyrë që të bie Qeveria aktuale.

Kurse në prag të fillimit të seancës, kryeministri Zdravko Krivokapiç dhe shumica e ministrave u larguan nga salla e Kuvendit.

Sipas RTCG, ministri Mlladen Bojaniç është një nga përfaqësuesit e Qeverisë në sallën e Kuvendit.

Propozimin për mosbesimin e Qeverisë e kanë nënshkruar 31 deputetë të opozitës dhe koalicionit “Bardhë e zi”, me propozimin e të cilëve po mbahet seanca.

Kolegjiumi i Kuvendit vendosi që seanca të zgjasë katër orë.

Paraprakisht, deputetët e Kuvendit të Malit të Zi nuk e kanë miratuar rendin e ditës dhe nuk e kanë diskutuar propozimin e Qeverisë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore