Lajme

Macron uron Pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes urimit për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ka thënë se pret që javët e ardhshme të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Letra e Macron-it, drejtuar Presidencës së Kosovës thekson edhe nevojën e organizimit të zgjedhjeve të reja në komunat veriore.

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”, thuhet në letrën e Macronit, të publikuar nga Presidenca e Kosovës.

Ndërsa, është shprehur i lumtur me avancimin që ka bërë Kosova.

Ai e ka quajtuar “mbresëlënës” përparimin e bërë që nga pavarësia, 16 vjet më parë.

Sipas tij, “vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Evropian”, teksa ka kërkuar që të vazhdohet me reformat për forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbën një sfidë parësore”, ka thënë ai.

Edhe më 22 janar, Gjermania dhe Franca, dy vendet kryesore të Bashkimit Evropian (BE), presin që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë të plotë Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023 dhe Ohër, 18 mars 2023) për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2024.

Ndërsa presin që palët të përmbahen nga veprimet që mund ta minojnë procesin.

Gjermania dhe Franca, por edhe Italia, nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shprehur hapur pritjet për njohjen de facto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia në këmbim të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – dy prioritetet e bashkësisë së organizuar perëndimore në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore