Lajme

LVV-ja s’është e sigurt nëse PDK e LDK kanë shkëputur koalicionin në Prishtinë


Nora Kelmendi, Gëzim Sveçla dhe Mirsad Vitija

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka deklaruar se nuk janë nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë shkëputur totalisht koalicionin qeverisës në kryeqytet.

Sipas shefit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, LDK dhe PDK po vazhdon të qeverisë ndërmarrjet publike me nga katër secili, ndonëse shumica e drejtorive në këtë komunë po udhëhiqen nga LDK-ja.

“Si pasojë e kësaj mjegulle, Kuvendi Komunal është i bllokuar, nuk ka mbledhje dhe shumicë parlamentare. Kësisoj, kanë ngecur edhe zgjidhjet e problemeve. Nuk jam i sigurt nëse janë ndarë 100 për qind LDK-ja e PDK-ja”. ka thënë ai.

Sveçla në një konferencë për media të enjten ka potencuar se LVV nuk do të bëhet pjesë e koalicionit me PDK-në dhe LDK-në.

“Nuk bëjmë koalicion me parti që e kanë shkatërruar kryeqytetin, u themi jo LDK-së e PDK-së”.

Në anën tjetër asamblista nga radhët e LVV-së, Nora Kelmendi, ka ftuar të gjithë asamblistët të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet javën e ardhshme, në të cilën do të kërkohet shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci.

Koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë u shkëput pas votimit për anulimin e vendimit për këmbim të pronave në Badoc më 8 shkurt.

Kësaj i parapriu shkarkimi i nënkryetares së Komunës, Donjeta Sahatçiu dhe drejtorit për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, të dy nga radhët e PDK-së, nga kryetari Përparim Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore