Lajme

Luvri i shton 5 euro tarifës së biletës teksa Parisi përgatitet për Lojërat Olimpike


Biletat për Luvrin në Paris janë rritur me pothuajse 30 për qind në 22 euro në rritjen e fundit të çmimit përpara se kryeqyteti francez të presë Lojërat Olimpike në verë.

Kapërcimi nga 17 euro është ndryshimi i parë i çmimit në shtatë vjet në muzeun më të vizituar në botë, i cili mirëpriti rreth 8.9 milionë njerëz vitin e kaluar.

Paçka rritjes janë parë dhjetëra radhë jashtë në një mëngjes të ftohtë të së hënës për të parë thesaret e muzeut, të cilat përfshijnë të famshmen  Mona Lisa nga Leonardo da Vinci.

Luvri ka bërë me dije se rritja është e nevojshme për të mbuluar kostot në rritje të energjisë – fatura e tyre u rrit 88 për qind midis vitit 2021 dhe 2022 – dhe muzeu planifikon të zgjasë orët e punës.

Po ashtu ka thënë se 40 për qind e vizitorëve kualifikohen për bileta falas, duke përfshirë moshat nën 25 vjeç, personat me pagë të ulët dhe të papunë, personat me aftësi të kufizuara, mësuesit dhe gazetarët.

Çmime të tjera po rriten gjithashtu në kryeqytetin francez për Lojërat Olimpike, veçanërisht biletat e metrosë, të cilat gati do të dyfishohen gjatë Lojërave në korrik dhe gusht.

Franca arriti të shmangte një pjesë të inflacionit të lartë të përjetuar në të gjithë botën si pasojë e pandemisë dhe pushtimit të Rusisë në Ukrainë, megjithëse çmimet u rritën me 4.9 për qind dhe 5.2 për qind respektivisht në vitet 2021 dhe 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore