Lajme

Lutfiu për ndalimin e vizitës së Sveçlës në Luginë: Serbia do që shqiptarët të humbasin komunikimin me Kosovën


Nevzad Lutfiu

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu, ka reaguar pasi që Serbia ia ka ndaluar Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, vizitën në Luginë të Preshevës, duke thënë se një veprim i tillë ka për qëllim që shqiptarët që jetojnë në Luginë të humbin linjat e tyre komunikuese me Kosovën.

Përmes një postimi në Facebook, Lutfiu ka bërë të ditur se kishte qenë vetë ai që e kishte ftuar Sveçlën që ta vizitojë Luginën e Preshevës – Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën – kjo duke u bazuar në Marrëveshje e Brukselit për vizitat zyrtare të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Ftesa kishte për qëllim një vizitë të ministrit Sveçla në Luginë për t’u njohur me gjendjen e shqiptarëve në tri komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar ai.

“Po ashtu, ishte një ftesë falënderuese për njërin nga akterët e Qeverisë së Kosovës e cila po vazhdon të ofrojë mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Por, shton ai, “siç jemi njoftuar, Serbia e cila udhëhiqet me pushtet totalitar nga Aleksandër Vuçiç, ka refuzuar një vizitë të tillë vëllazërore të ministrit Sveçla në Luginën e Preshevës”.

“Ky refuzim ka për qëllim që shqiptarët në Luginën e Preshevës të humbasin linjat e tyre komunikuese me Kosovën dhe të mos lejohet asnjë lloj bashkëpunimi mes institucioneve komunale por edhe Këshillit Kombëtar Shqiptar me institucionet e Qeverisë së Kosovës”, vlerësoi ai.

Po ashtu, sipas kreut të KKSH-së, qëllimi i ndalimit të kësaj vizite “synon getoizimin e mëtejmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët janë minoriteti më i diskriminuar në Evropë dhe jo vetëm”.

Në fund, Lutfiu potencoi se shpreson se kjo do të jetë hera e fundit kur Serbia ndalon zyrtarët e lartë të Kosovës për vizita në Luginën e Preshevës, derisa ka theksuar se ndalimi i Sveçlës duhet të jetë edhe alarm për bashkësinë ndërkombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia ia ndalon vizitat në Luginë të Preshevës ministrave të Qeverisë së Kosovës.

Vizita u ishte ndaluar edhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, Ministrit të Financave, Hekuram Murati, Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ati të Kulturës, Hajrullah Çekut.

Nga ana tjetër, Serbia i diskriminon sistematikisht shqiptarët që jetojnë atje, madje nuk ua lejon as përdorimin e flamurit kombëtar. Një nga çështjet që së fundmi është ngritur edhe në Senatin Amerikan është edhe pasivizimi i adresave, posaçërisht në Medvegjë.

Sveçla pasi iu ndalua vizita në Luginë: Dëshmi e qasjes destruktive të Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore