Lajme

Lushaku pas fjalëve të Gërvallës: Populliste e paskrupullt, e definitivisht një imbicil


Sibel Halimi

Kryetarja e Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka reaguar pasi që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e quajti Bashkimin Evropian “tigër prej letre”.

Lushaku përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, tha se për deklaratën e Gërvallës “qenka detyruar SHBA-ja të reagojë kundër ministres së Kosovës”, duke iu referuar reagimit të të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

“Një ministre që pa asnjë përgjegjësi e dëmton shtetin e saj me sjellje hipokrite; një populliste e paskrupullt, e definitivisht një imbicil”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Kështu është, pohon ajo “kur merr pushtet dikush që nuk e ndjen vendin e vet; nuk e ka shtëpinë e familjen që t’i bashkëvuajnë problemet dhe jeton me kompleksin që të fyej të tjerët”.

“Ajo beson se sa më e madhe është fyerja ndaj Amerikës e BE-së, aq më e madhe bëhet fama e saj”, theksoi ajo, duke shtuar se “s’ka rëndësi dëmi që i shkaktohet vendit”.

Për të gjithë këtë, sipas Lushakut  “pasojat do t’i vuaj atdheu jonë, qytetarët e Kosovës që s’kanë atdhe të dytë!”.

“Mjerë na ku kemi rënë!”, përfundoi ajo.

Sulmi i Gërvallës ndaj BE-së, Halimi: Është e zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar pasi që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e quajti Bashkimin Evropian “tigër prej letre”.

Halimi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, tha se “përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri – qëlloi të mbajë postin e krye diplomates – dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë”.

“Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!?”, shkroi ajo në “Facebook”, duke shtuar se “ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!?”

Sipas saj, Gërvalla është e “e zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët (Miroslav) Lajcak e (Gabriel) Escobar”, të cilët i replikuan kryediplomates kosovare pas deklaratës së saj.

“I pari ia kujtoi kryediplomates kosovare se nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!) kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullizimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta”.

“Escobar sikur i tha rrini ju në lloqin e rivaliteteve ballkanike!?”

Halimi vlerëson se është “e mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme!”.

Ndryshe, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë fjalës së saj në një nga panelet në Forumin e Dubrovnikut, në Kroaci, ka thënë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, Bashkimi Evropian, nuk mund të garantojë paqe dhe siguri, dhe se e njëjta pa këto dyja, sipas saj është një “tigër prej letre”.

Sipas saj, pyetja kyçe “është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë?”.

Në vlerësimin e Gërvallës “BE-ja nuk mundet” ta garantojë sigurinë, sepse, thotë ajo “nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri”.

“Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’”.

Ndaj kësaj deklarate të saj reaguan i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar gjatë fjalës së tij në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik” në kuadër të Forumit të Dubrovnikut në Kroaci, i tha Gërvallës se gjërat e mira që kanë ndodhur në Ballkan ka qenë për shkak të bashkëpunimit BE-SHBA.

“Dhe më vjen keq që duhet të dalloj nga kolegia ime në Kosovë, por gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të BE-së dhe ShBA-së”, tha ai.

Ndërsa, Ljaçak potencoi se BE-ja është unioni “më i mirë që e kemi”, duke shtuar se është ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e saj.

“Fillimisht, mendoj se duhet të them që BE-ja është larg perfeksionit, por është më i miri që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka një union tjetër të shteteve në këtë planet, që ka bërë stabilitet politik, ekonomik më të mirë, respektim të të drejtave”.

“Kështu që, unë mendoj që bashkimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e BE-së. Në këto 20 vite, vetëm Kroacia iu bashkua BE-së, dhe procesi i zgjerimit ka humbur dinamikën. Dihet se diçka duhet të bëhet”, theksoi ai.

Por çka nënkupton kjo frazë?

“Tigër prej letre” është një frazë kineze që i referohet diçkaje ose dikujt që pretendon ose duket të jetë i fuqishëm ose kërcënues, por në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.

Kjo shprehje ishte bërë e njohur ndërkombëtarisht pasi që diktatori famëkeq kinez, Mao Ce Duni, e kishte përdorur si slogan kundër kundërshtarëve të tij politikë, veçanërisht kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët i konsideronte si armiqtë kryesorë.

Që nga atëherë, kjo frazë është përdorur në kapacitete dhe variacione të ndryshme për të përshkruar shumë kundërshtarë dhe entitete të tjera.

Ndërsa, në gjuhën mandarine kineze, shprehja zhilaohu (nga “zhi” që do të thotë “letër” dhe “laohu” që do të thotë “tigër”) shkon prapa në shekullin e XIV-të, gjatë dinastisë së hershme kineze Ming. Edhe atëherë, figura e tigrit prej letre përfaqësonte një kërcënim bosh.

Një fjalor i vitit 1828 nga misionari dhe leksikografi britanik, Robert Morrison, regjistron shprehjen ekuivalente në varietetin kantonez të kinezishtes, duke e përkthyer atë si “një tigër letre, një pretekst i rremë për të frikësuar njerëzit”. Dhe në librin e tij të vitit 1836 “Kinezët”, John Francis Davis shpjegoi: ‘Një shok i turbullt, i padëmshëm ata e quajnë ‘një tigër letre’”.

“Tigër prej letre”, Gërvalla e “goditi” BE-në me shprehjen e Mao Ce Dunit – çka nënkupton kjo frazë kineze?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore