Lajme

Lumir Abdixhiku rizgjidhet kryetar i LDK-së


Me 333 vota për, Lumir Abdixhiku është zgjedhur sërish në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa në sallë prezentë ishin 333 delegatë, nga 335 sa gjithsej i ka LDK-ja.

Pas rizgjedhjes si kryetar i partisë, Abdixhiku theksoi do ta ushtrojë këtë detyrë e ketë përgjegjësi me “sjellje rugoviste”.

“Ju faleminderit të gjithëve për këtë nder dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme që ma dhatë sot. Unë tani kam një fjalë të përgatitur në konventën madhështore që do të mbahet me fillim nga ora 17:00 dhe do t’u kursej këtë kohë tani. Do të ushtrojë këtë detyrë e këtë përgjegjësi me sjellje rugoviste në besim në LDK, në besim në anëtarësinë tonë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ishte kandidati i vetëm për kryetar të LDK-së, pasi Faton Bislimit nuk iu aprovua kandidatura nga kryesia e partisë.

Gjatë mbledhjes së Kuvendit është miratuar programi “Rruga e Re” që është paraqitur nga kryetari i rizgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Programi u votua pro nga 333 delegatë sa ishin në sallë nga 335 sa janë gjithsej. Në më shumë dy vjet në krye të LDK-së, suksesi më i madh i Abdixhikut dhe ekipit të tij, janë zgjedhjet lokale, të mbajtura në nëntor të vitit 2021.

Nën drejtimin e Abdixhikut, LDK kishte arritur që t’i fitonte plotë 8 komuna, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën. Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK-së më 14 mars të vitit 2021, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të kësaj partie.

Këto zgjedhje në këtë parti, kishin ardhur pas dorëheqjes së Isa Mustafës – si marrje e përgjegjësisë për rezultatin e katastrofal në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Abdixhiku kishte arritur që në garën me Lutfi Hazirin të marrë besimin e shumicës së delegatëve të kësaj partie. Ai kishte marrë 191 votave të 328 delegatëve të këtij kuvendi. Zgjedhja e kryetarit të LDK-së ishte bërë me vota të fshehta.

Faton Bislimi

Bislimi kundërshton moslejimin për të garuar në krye të LDK-së

Në kundërshtim me statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka cilësuar vendimin e delegatëve të Kuvendit të 10-të Zgjedhor të LDK-së, Faton Bislimi, i cili përkundër se ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së, atij nuk i është aprovuar kandidatura për të garuar për të parin e partisë.

“Vendimi i sotëm është anti-statutar, por kjo nuk do të thotë se e pamundëson vazhdimin e punës sime për të mirën e LDK-së, qytetarëve të Kosovës dhe mbi të gjitha, për t’i ofruar Kosovës një alternativë që e çon drejt integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Bislimi në një prononcim para gazetarëve të dielën.

Gjashtë ditë para mbajtës së Kuvendit Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bislimi në një intervistë për Albanain Post pati thënë se mënyra e udhëheqjes së partisë në stilin e “one-man show”, nga Abdixhiku nuk ka qenë e duhura.

“Përkundër shpresës që kisha pasur në të, tendenca për profilizim majtist të partisë, vendimet arbitrare, përjashtimet dhe anashkalimet e njerëzve me historik të madh në LDK, udhëheqja në stilin ‘one-man shoë’, ishin mënyra të gabuara për ta çuar LDK përpara”, theksoi Bislimi.

Pos udhëheqjes “së dobët” të partisë nga Abdixhiku, Bislimi, i cili ka bashkëpunuar me figurat më kryesore të politikës Amerikane përmes Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kishte potencuar se edhe opozitarizimi i LDK-së “ka qenë i vobektë” dhe shpeshherë edhe “oportunist”.

“Të krijohet e plotë fotografia e një LDK-je që po ndryshon rrënjësisht nga identiteti i vet historik dhe si e tillë po hynë në rrugën e pariparueshme drejtë faqeve të historisë e jo të së ardhmes triumfaliste”, thoshte Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore