Lajme

Bislimi zyrtarizon kandidaturën për kryetar të LDK-së: Abdxhiku e udhëhoqi partinë në stilin e “one-man show”


Gjashtë ditë para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, i ka hyrë garës për kryetar të LDK-së duke u bërë rivali i parë zyrtarisht i Lumir Abdixhikut që synon të rizgjidhet për të dytën herë kryetar i kësaj partie.

Bislimi, ish-deputet i LDK-së në një intervistë për Albanain Post thotë se mënyra e udhëheqjes së partisë në stilin e “one-man show”, nga Abdixhiku nuk ka qenë e duhura.

“Përkundër shpresës që kisha pasur në të, tendenca për profilizim majtist të partisë, vendimet arbitrare, përjashtimet dhe anashkalimet e njerëzve me historik të madh në LDK, udhëheqja në stilin ‘one-man show’, ishin mënyra të gabuara për ta çuar LDK përpara”, tha Bislimi.

Pos udhëheqjes “së dobët” të partisë nga kreu i tanishëm i LDK-së, Bislimi, i cili ka bashkëpunuar me figurat më kryesore të politikës Amerikane përmes Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, thotë se edhe opozitarizimi i LDK-së “ka qenë i vobektë” dhe shpeshherë edhe “oportunist”.

“Të krijohet e plotë fotografia e një LDK-je që po ndryshon rrënjësisht nga identiteti i vet historik dhe si e tillë po hynë në rrugën e pariparueshme drejtë faqeve të historisë e jo të së ardhmes triumfaliste”, potencoi ai.

Kur flet për projeksionin e tij nëse do zgjidhet kryetar i LDK-së, ai potencon se rikthimi dhe ri-ngritja e LDK-së janë “alfa dhe omega” e planit të tij në krye të LDK-së dhe kjo arrihet sipas tij “vetëm me modesti e përbashkim, e assesi me injorim e përbuzje”.

“Unë besoj se LDK mundet dhe do të rikthehet si forcë kryesore politike në Kosovë. Dhe kjo arrihet përmes rikthimit tek vlerat themeltare dhe idealet kombëtare të LDK-së të trasuara nga Presidenti Rugova. Reforma në LDK duhet të jetë substanciale e strukturore e jo vetëm programore. Kjo reformë bëhet e suksesshme vetëm përmes asaj që shërben si busollë e orientimit tim politik — unitetit në dallime”.

Ndërsa vendimi i tij për të garuar për të parin e LDK-së, Bislimi thekson se vjen si vazhdimësi e angazhimit për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer “familjes së madhe të LDK-së së vërtetë”, por edhe si përgjigje ndaj atyre që kanë filluar të “humbin shpresën” për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar, por edhe atyre që asnjëherë nuk reshtën së përkrahuri vizionin e tij për LDK-në.

“Siç e pata theksuar edhe në letrën time të dorëheqjes nga Kryesia e LDK-së më 24 maj 2023 (e cila nga eksponentë të caktuar u mundua të paraqitej rrejshëm si dorëheqje e imja nga LDK-ja), unë kam vazhduar të kem vizion të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vlerave rugoviste, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë”.

Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, shton se ka zgjedhur “LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik”, jo atë të interesave personale e grupore.

“Kam zgjedhur LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të; dhe mbi të gjitha, LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve. Për këtë LDK, ofroj gjithçka nga vetja ime”.

Muajin e kaluar, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pati njoftuar se Kuvendi Zgjedhor i LDK-së do të mbahet të dielën e 19 nëntorit.

“Në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas kompetencave të përcaktuara me Nenin 17-të të Statusit të LDK-së, thërras Kuvendin X Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës me datë 19 nëntor 2023”, pati shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka bërë ditur po ashtu se në të njëjtën ditë do të prezantohet në detaje “Rruga e Re”.

Ka disa muaj që Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar zgjedhjet e brendshme të partisë dhe ka zgjedhur kryetarët e degëve dhe nëndegëve në të gjitha komunat e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore