Lajme

Lufta në Afganistan – talebanët mësyjnë kryeqytetin rajonal Zaranj


Personeli afgan i sigurisë në zonën ku drejtori i Qendrës së Mediave të Informacionit të Qeverisë së Afganistanit, Dawa Khan Menapal u qëllua për vdekje në Kabul, Afganistan, të Premten, 6 Gusht 2021. Talebanët qëlluan dhe vranë Khan Menapal-in - vrasja e fundit e një zyrtari qeveritar dhe ajo që vjen vetëm disa ditë pas një atentati ndaj Ministrit të Mbrojtjes në detyrë.

Një qytet në Afganistanin jugperëndimor është bërë kryeqyteti i parë krahinor i vendit që ra në duart e talebanëve vitet e fundit.

Këtë fakt e kanë konfirmuar burime lokale të medias angleze “BBC” të premten e 6 gushtit. Sipas tyre, kapja e qytetit Zaranj, në provincën Nimroz, është një goditje e madhe për forcat qeveritare.

Ndërsa lufta ende vazhdon rreth zyrës së Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë.

Ata kanë marrë një pjesë të madhe të fshatrave dhe tani po synojnë qytetet kryesore.

Kryeqytetet e tjera krahinore nën presion përfshijnë Herat-in në perëndim dhe Lashkar Gah-un në jug.

Zaranj është një qendër kryesore tregtare pranë kufirit me Iranin. Pas kapjes së rretheve përreth, militantët kishin bërë një përpjekje të vazhdueshme për të kapur qytetin.

Një zëdhënës i paidentifikuar i policisë së Nimroz tha për agjencinë e lajmeve ndërkombëtare “Reuters” se talebanët kishin qenë në gjendje të kapnin qytetin, për shkak të mungesës së përforcimeve nga qeveria.

Talebanët shpallën fitoren në një postim të shpërndarë në median sociale Twitter.

“Ky është fillimi dhe shikoni se si krahinat e tjera do të bien në duart tona shumë shpejt”, tha një komandant i grupit për “Reuters”.

Disa raporte thanë se ishte arritur një marrëveshje me talebanët – duke lejuar zyrtarët të iknin në Iran me familjet e tyre.

Nga ana tjetër, qeveria ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi rënien e raportuar të qytetit.

Kapja e Zaranj-it do të shtonte vrullin e talebanëve, të cilët kanë nisur një ofensivë të madhe në të gjithë vendin muajt e fundit, ndërsa forcat amerikane tërhiqen pas 20 vitesh operacionesh ushtarake.

Më herët, të premten, drejtori i mediave dhe qendrës së informacionit në Afganistan u vra nga militantët talebanë në kryeqytetin, Kabul.

Talebanët thanë se Dawa Khan Menapal ishte “ndëshkuar për veprat e tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore