Lajme

Talebanët ndryshojnë strategjinë, në përgjigje të sulmeve amerikane


23 qershor 2021, milicitë afganë i bashkohen forcave afgane të mbrojtjes dhe sigurisë gjatë një tubimi në Kabul, Afganistan.

Tre komandantë të militantëve talebanë, të premten e 6 gushtit njoftuan se kanë ndryshuar strategjinë – nga shënjestrimi i zonave rurale të Afganistanit në sulmin ndaj qyteteve provinciale.

Sipas tyre, kjo ka ardhur në përgjigje të shtimit të sulmeve ajrore amerikane – pasi autoritetet në SHBA thanë se po i jepnin fund luftës së saj më të gjatë.

Talebanët kanë rritur fushatën e tyre për të mposhtur qeverinë, e mbështetur nga SHBA-të, pasi forcat e huaja do të tërheqin trupat e tyre deri më 31 gusht –  pas 20 vitesh konflikt.

Një komandant rajonal amerikan tha, në fund të muajit të kaluar, se SHBA-të kishin shtuar sulmet ajrore për të kundërshtuar sulmet në rritje të talebanëve – një veprim ky i dënuar nga grupi islamik.

Luftimet kanë qenë veçanërisht të ashpra brenda qytetit të Herat-it, pranë kufirit perëndimor me Iranin, Lashkar Gah – kryeqyteti i provincës Helmand në jugperëndim dhe Kandahar në jug.

Komandantët talebanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, për median ndërkombëtare “Reuters” thanë se ata ishin të fokusuar në kapjen e Herat-it dhe Kandahar-it.

“Mullah Yaqoob argumentoi se kur SHBA-të nuk e përmbushën angazhimin e tyre, pse duhet që talebanët të detyrohen të ndjekin marrëveshjen?”, tha njëri nga komandantët, me qendër në Kandahar, duke iu referuar shefit ushtarak të grupit.

Një zëdhënës i talebanëve nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Negociatori taleban, Suhail Shaheen, tha se grupi po vazhdonte politikën e tij për marrjen e kontrollit të zonave rurale dhe zbatimin e Sharia-s (ideologji islamike).

Talebanët, të cilët sunduan me dorë të hekurt nga viti 1996 deri në vitin 2001, kishin thënë më parë se do të përqendroheshin në kalimet fitimprurëse të kufirit dhe zonat e mëdha rurale.

Javët e fundit ka pasur sulme të vazhdueshme në Herat, Kandahar dhe Lashkar Gar, duke shtrirë forcat speciale afgane dhe duke vrarë dhjetëra civilë.

Lufta “nuk kufizohet në periferi”

“Operacionet në Kandahar dhe Herat janë shumë të rëndësishme për ne dhe përparësia jonë është t’i kapim dy aeroportet apo bazat ajrore të rëndësishme aty”, tha komandanti taleban.

Zyrtarët dhe ekspertët thanë se ata panë shenja të një ndryshimi në strategji muajin e kaluar.

Kandahar dhe Herat janë qytetet më të mëdhenj të Afganistanit për nga popullsia. Ekspertët thanë se humbja e tyre do të ishte një goditje e madhe politike për qeverinë. Potencialisht, sipas tyre, mund të shkaktonte riorganizime të mëdha në favor të talebanëve.

Nuk është e qartë nëse sulmet ajrore amerikane do të vazhdojnë pasi forcat e huaja të përfundojnë tërheqjen e tyre.

Një zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan dhe ambasada amerikane nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Ekspertët dhe zyrtarët thonë se, tani për tani, një marrje ushtarake e Kabulit do të ishte shumë më e vështirë për talebanët sesa kryeqytetet provinciale.

Nga ana tjetër, grupi mund të rrisë bombardimet dhe sulmet për të minuar sigurinë dhe moralin publik.

Talebanët morën përgjegjësinë për një sulm në rezidencën e Ministrit të Mbrojtjes në detyrë të martën dhe paralajmëruan për dhunë të mëtejshme.

Origjina

Talebanët kanë korrur një varg fitoresh në fushën e betejës javët e fundit. Pushteti i grupit të armatosur ra pas një pushtimi të udhëhequr nga SHBA-të në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit. Por, në 20 vitet e fundit, ky pushtet është rikuperuar.

Talebanët, që do të thotë “studentë” në gjuhën arabe, luftuan së bashku me rebelët afganë të quajtur muxhahedinë kundër okupimit sovjetik për nëntë vjet.

SHBA-të siguruan armë dhe para për muxhahedinët, si pjesë e politikës së tyre kundër armikut të Luftës së Ftohtë së Bashkimit Sovjetik.

Në atë kohë, sovjetikët po mbështesnin liderët komunistë, të cilët kishin organizuar një grusht shteti të përgjakshëm kundër presidentit të parë të kombit, Mohammad Daoud Khan, në vitin 1978.

Pasi sovjetikët u tërhoqën në 1989-ën, gjërat u kthyen në kaos dhe deri në vitin 1992 kishte një luftë civile të plotë me komandantë muxhahedinë. Këta të fundit luftonin për pushtet dhe ndanin kryeqytetin, Kabul.

Milicia talebane u shfaq si një lojtar thelbësor në 1994-ën. Shumë nga anëtarët e saj kishin studiuar në shkolla fetare konservatore në Afganistan dhe përtej kufirit në Pakistan.

Ata fituan kontrollin e Kandahar-it, qyteti më i madh pas Kabulit dhe premtuan t’i bëjnë qytetet të sigurta për njerëzit.

Të ngopur me vite lufte, njerëzit në përgjithësi i mirëpritën ata.

Komandantët muxhahedinë dhe forcat e tyre ishin akuzuar për abuzime të të drejtave dhe krime lufte në garën e tyre për pushtet.

Deri në vitin 1996, talebanët kishin pushtuar kryeqytetin dhe varur presidentin e fundit komunist të kombit, Najibullah Ahmadzai, nga një shesh në Kabul.

Ata e shpallën Afganistanin një emirat islamik dhe filluan të imponojnë interpretimin e tyre të rreptë të ligjit islamik.

Talebanët u njohën nga vetëm tri vende – Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe Pakistani.

Qeveria paralele

Talebanët kanë krijuar një shtet paralel, duke e quajtur atë Emiratin Islamik të Afganistanit me flamurin e tyre të bardhë.

Ata gjithashtu kanë zgjedhur guvernatorët hije që kanë administratat e tyre në 34 provincat e kombit.

Shefi i tyre kryeson një këshill që mbikëqyr rreth një duzinë komisionesh të ngarkuar me gjëra të tilla, si financa, shëndetësia dhe arsimi. Ata madje drejtojnë gjykatat e tyre.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore