Shqipëria

Lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në Shqipëri, përmes një komisioni të posaçëm


Komision i Posaçëm kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Kjo do të jetë kërkesa e Bledi Çuçit në emër të Grupit Parlamentar të PS-së drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, e bërë me dije gjatë kësaj të enjte.

Kjo, sipas tij “mund të përfshijë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile”.

Po, si ndikon dezinfomimi në shoqëri dhe politikë?

Për këtë, Forumi Ekonomik Botëror ka bërë një raport të rreziqeve globale për periudhën 2023-2024.

Raporti thekson rrezikun e rritur që dezinformimi paraqet për shoqëritë, proceset demokratike, dhe stabilitetin politik.

Ai gjithashtu vë në dukje sfidat e mëdha që lidhen me menaxhimin dhe kufizimin e përhapjes së informacionit të rremë në një kohë kur teknologjitë e reja e bëjnë këtë përhapje edhe më të lehtë dhe më të shpejtë. Rëndësia e një qasjeje të balancuar që mbron liritë civile ndërsa lufton dezinformimin bëhet më kritike se kurrë.

Gjatë dy viteve të ardhshme, thuhet në raport, “aktorët e huaj dhe vendas do të përdorin dezinformimin dhe keqinformimin për të zgjeruar ndarjet sociale dhe politike”.

Ky rrezik rritet nga zgjedhjet e shumta politike të planifikuara, me më shumë se 3 miliardë njerëz që shkojnë në votime në 2024 dhe 2025, duke përfshirë ato në ekonomitë kryesore si Shtetet e Bashkuara, India, Mbretëria e Bashkuar dhe BE.

Dezinformimi dhe AI janë rreziku i parë “i menjëhershëm”.

Keqinformimi është, sipas ekspertëve, kërcënimi numër një në dy vjet. Ky shqetësim në rritje nxitet kryesisht nga potenciali që  ka AI, në duart e aktorëve malinj , duke vërshuar në sistemet globale të informacionit me narrativa të rreme.

Në renditjen e rreziqeve afatshkurtra, ekspertët vendosën ngjarjet ekstreme klimatike në vendin e dytë dhe “polarizimin social” në vendin e tretë.

Në vend të katërt është pasiguria kibernetike, në vendin e pestë janë konfliktet e armatosura ndërmjet shteteve, në vendin e gjashtë është mungesa e mundësive ekonomike, e ndjekur nga inflacioni dhe migrimet e pavullnetshme.

Në vendin e nëntë është mungesa e rritjes demografike dhe, së fundi, në vendin e dhjetë, ndotja.

Sipas raportit, përpjekjet për të rregulluar përmbajtjen dhe teknologjinë që mundëson përhapjen e dezinformimit përballet me sfida, veçanërisht për shkak të shpejtësisë së zhvillimit të teknologjive të reja që mund të mos përputhen me efikasitetin dhe shpejtësinë e rregullave qeveritare.

Nga ana tjetër, gjatë kësaj të enjte Shërbimi Informativ i Sigurisë i Republikës Çeke ka zbuluar ekzistencën e një rrjeti të organizuar nga Rusia.

Kjo, me qëllim të ndikimit në zgjedhjet e Parlamentit të BE-së në vende të ndryshme evropiane.

Sipas agjencisë së kundërzbulimit, ndër veprimet e promovuara nga Moska për të ndikuar në zgjedhjet në territorin e Bashkimit Evropian dhe për të ndikuar në proceset politike është financuar edhe faqja proruse Voice of Europe.

Raporti është bërë në bashkëpunim me Zurich Insurance Group dhe Marsh McLennan, ku bazohet në opinionet e më shumë se 1 mijë e 400 ekspertëve globalë të rrezikut, politikëbërësve dhe liderëve të industrisë të anketuar në shtator 2023.

Dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja, Çuçi kërkesë Nikollës: Të krijohet një Komision i Posaçëm

“Spiunët rusë duan të ndikojnë në votën evropiane”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore