Shqipëria

Lufta e shpallur ndaj “syve” të krimit


Data shënonte 14 janar dhe autoritetet zyrtarizonin një operacion të pazakontë të titulluar “Fijet”, e cila pikënisi me çmontimin e 21 kamerave të sigurisë në qytetin e Shkodrës.

Këto të fundit, ishin të vendosura aty prej grupeve kriminale, në mjedise të ndryshme publike, me qëllim përgjimin dhe mbledhjen e informacionit mbi lëvizjet e efektivëve.

Më shumë se dy javë pasuan dhe numri i kamerave të çmontuara në të gjithë territorin e vendit do të kalonte shifrën e 300 pajisjeve duke kulmuar me operacionin e nëntë të 31 janarit në kryeqytet.

Vetëm në Tiranë, policia shkëputi gjatë ditës së djeshme 155 kamera të vendosura në 30 rrugë të ndryshme.

Autoritetet bënë me dije se në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, kanë përfunduar 37 shtetas të cilët i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundraligjshme.

Zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi më herët se zyrtarisht janë çmontuar 299 kamera në të gjithë Shqipërinë dhe janë proceduar 50 persona.

“Çdo kamera e cila nuk është në përputhje me ligjin, pra si ato që janë nga subjekte që kapërcejnë fuqinë e ligjit, apo nuk kanë marrë vërtetimin e sigurisë, apo e kalojnë perimetrin ku mund ta vendosin kamerën, pra subjekte private, nëse ti futesh në hapësirën publike, merr dhe trotuarin dhe pjesën e biznesit tjetër”, tregoi zyrtari shqiptar më në detaje.

Sipas tij, kjo sigurisht ka dhe një qëllim parandalues të konflikteve të çastit ose të vjedhjeve, gjobvënieve, çdo element i thjeshtë që mund të burojë nga paligjshmëri të tilla.

Por, mes përshkrimit të operacionit, Lamallari vërejti se qëndron edhe elementi i atyre me precedentë të theksuar kriminalë.

“Edhe gjatë këtyre ditëve kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm edhe me autoritetet e tjera si ato vendore dhe me komisionerin për mbrojtjen e të dhënave personale ku qartësisht shprehet se ka një shkelje të të drejtave të njeriut në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale, pra përpunimin e këtyre të dhënave pa pëlqimin e atyre personave që u merren, qofshin këta qytetarë të thjeshtë apo edhe persona që kanë biznese ngjitur”, shtoi ai.

Policia vijoi aksionin për çmontimin e gjashtë kamerave të sigurisë të vendosura edhe nga grupet kriminale në Elbasan. Ndërsa, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë çmontuar dhe sekuestruar gjithashtu 16 kamera.

185 kamera u sekuestruan po ashtu në Durrës, Fier, Korçë, Gjirokastër e Dibër.

Precedentë nga bota

Në vitin 2015 policia në qytetin meksikan të Reynosa-s në shtetin verilindor Tamaulipas do të çmontonte 39 video kamera vëzhgimi të instaluara nga një bandë lokale.

Reynosa është e pushtuar nga dhuna, me dy kartele droge që konkurrojnë për kontroll.

Dy të dyshuarit i çuan oficerët në lokacionet e 37 kamerave të tjera që kishin instaluar tashmë.

Ato ishin vendosur në vendkalimet kryesore të rrugëve në qytet, në qendrat tregtare dhe në zonat e banuara.

Por kjo, nuk ishte hera e parë që policia haste bandat që instalonin kamera vëzhgimi.

Më 22 maj, një ditë pasi presidenti Enrique Pena Nieto vizitoi qytetin, ata hoqën 39 pajisje të tjera të tilla.

Reynosa, e cila është përtej kufirit nga qyteti Teksas i McAllen, po luftohet nga kartelet Zetas dhe kartelet e Gjirit.

Të dyja bandat kanë luftuar për kontrollin e rajonit, i konsideruar si një pikë hyrëse tregtare tregtare në SHBA.

Në vitin 2020 një qelizë e bandës kriminale MS13 lidhi disa lagje të Hondurasit në periferi të San Pedro Sula me kamera vëzhgimi.

Sistemi i monitorimit, i përbërë nga nëntë kamera të vendosura në çatitë e dyqaneve dhe shtyllat elektrike, u zbulua në sektorin verior të qytetit, deklaronte policia në një njoftim për shtyp.

Kamerat ishin të lidhura me një ruter, duke lejuar anëtarët e bandës të shikonin transmetimet video në tabletët, telefonat dhe kompjuterët e tyre.

Kamerat ishin vendosur në mënyrë strategjike për të monitoruar “hyrjet dhe daljet”, shprehej zëdhënësi i Policisë Kombëtare Jair Meza për InSight Crime.

Pjesë të San Pedro Sula, qyteti i dytë më i populluar i Hondurasit, janë kontrolluar prej kohësh nga bandat e rrugëve Barrio 18 dhe MS13, të cilat drejtojnë raketat lokale të drogës dhe zhvatjes.

Sistemet e mbikqyrjes video janë të zakonshme në zonat më të pasura të San Pedro Sula dhe Tegucigalpa, kryeqyteti i Hondurasit, dhe më parë janë gjetur në shtëpitë e drejtuesve të bandave për qëllime sigurie private.

Këto role u zëvendësuan në vitin 2011 kur policia në qytetin jugor suedez të Malmos instaloi kamera vëzhgimi në rrugët e një zone të caktuar në një përpjekje për të luftuar kriminalitetin e bandave atje.

Gazeta Dagens Nyheter raportoi se zona e banimit të Seved në qendër të Malmos ishte zaptuar në një masë të madhe nga një bandë të rinjsh dhe policia ishte e vendosur të rivendoste ligjin dhe rendin.

Zona e Sevedit në qendër të Malmos, dhe në veçanti disa rrugë specifike atje, kishte pasur prej vitesh probleme me bandat kriminale.

Banorët kishin qenë dëshmitarë të të shtënave me armë zjarri, dhunës, kërcënimeve dhe tregtisë së hapur të drogës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore