Lajme

Lufta e gjatë e Rusisë në Ukrainë


Një zyrtar ukrainas i rrëfen një të dërguari të gazetës franceze “Le Monde” sesi hapja e zjarrit nga artileritë ruse është e fuqishme, teksa njerëzit e tij duhet t’i përgjigjen me një ritëm më të avashtë, sepse duhet të kursejnë plumbat.

Në disa seksione, nuk kanë as armët me rreze të gjatë, apo kalibra të mëdhenj.

Këto dëshmi nga fronti, të çojnë larg.

Kievi merr shumë armatime, por sërish ka shumë nevojë për municione.

Ndërsa “donatorët” u janë drejtuar “panaireve të Lindjes”, pra atyre vendeve të Evropës Lindore, të cilat kanë armatime të përputhshme me ato ukrainase” Bullgarisë, Polonisë, Sllovakisë, Republikës Çeke, Maqedonisë së Veriut.

Prapëseprapë, pikërisht për faktin se Perëndimi po harxhon mjetet e veta – nga armët automatike te predha 155 mm amerikane – rezistenca duhet të ndryshojë binarin, duke kryer një tranzicion drejt produkteve të NATO-s.

Këtë gjë e konfirmon vetë Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, në një shpalosje për ilustrimin e atyre çfarë u arritën në Ramstein të Gjermanisë.

Ushtria do të vijojë në këtë shteg, duke intensifikuar blerjen e disa armëve për t’u trajnuar.

Një program, i cili nuk ndalet vetëm te ndihmat, por do të fokusohet edhe te prodhimi. Është një vendim strategjik për të ravijëzuar një proces të gjatë integrimi, ku në fund Ukraina mund të mos futet fare në NATO, por mund të përdorë gjithë arsenalin e aleancës.

Po në Remstein është vendosur gjithashtu një qendër me funksion të përhershëm, e cila do të zhvillojë mbledhje të përmuajshme për të zhvendosur ritmin e zhvillimeve.

Nëse do të ketë dëshira për shembull, të ngrihen reparte për artilerinë, do të kërkohet formimi i tyre, duke përdorur armatime të ardhura nga vende të ndryshme.

Duket gjë e thjeshtë për t’u bërë, por nuk është, duke qenë se jo të gjithë ofrojnë të njëjtat tipe armatimesh.

Në orët e fundit, për shembull, është folur shumë për kundërajrorët gjermanë “Gepard”. Gjermania vetë mendohet se ka gjithsej 30 mijë predha për to.

Zvicra, nga ana tjetër, nuk është e gatshme të heqë dorë nga municionet e pakta që ka. Prandaj, koka kthehet për nga Brazili, i cili mendohet se ka rreth 300 mijë predha.

Janë detaje, të cilat vërtetojnë sesi gjithkush po përgatitet, nëse konflikti përshkallëzohet më tej.

Për ekspertin Gustav Gressel, në këtë çast, pushtuesit kanë fituar pozicionim në Lindje, falë disa faktorëve.

Linjat logjistike – thembra e vërtetë e Akilit – janë më të shkurtra, ka një linjë hekurudhore të mirë. Territori armik është pra, praktikisht, është një hapësirë ku mund të gjendet mbështetje e shpejtë.

Disa burime amerikane, megjithatë, vërtetojnë se vijojnë të hasin vështirësi në mbajtjen e ritmit të përshtatshëm nga 92 batalionet të vendosura në jug dhe juglindje, përfshi reparte të pakta, të cilat deri disa ditë më parë, kishin rrethuar forcat rezistente të Mariupolit.

Në dukje, Moska ka vendosur t’i dedikohet një objektivi me radhë. Kjo, për të minimizuar humbjet e veta dhe për të shtuar ato të rezistencës ukrainase.

Pra, ata qëllimin e kanë në një kuadrat, i cili duhet të bëhet platforma për progresionin e radhës.

Një sekuencë, e cila shkon përtej pranverës. Madje, shtyhet edhe deri në verë.

Është praktikisht një përsëritje e strategjisë që ka ndjekur në Siri – kur komandanti Alexandr Dvornikov drejtoi për një vit kontingjentin – ku ka pasur një seri pasazhesh pas disa dështimeve: fillimisht Palmira, më pas Aleppo, në fund manovra në Idbil, e ngecur kjo e fundit në duart e rebelëve.

Informacione nga Kievi, të cilat ende duhen konfirmuar, mbështesin faktin se guida e operacioneve mund të merret nga kreu i gjeneralëve, Valery Gerasimov, për të theksuar rëndësinë e gjësë, por edhe për të ndrequr gabimet.

Në të njëjtën kohë, rusët kanë intensifikuar sulmet sistematike në hekurudha, depozita, rafineri dhe industri të ndryshme ukrainase, në përpjekje për të degraduar me sa kanë mundësi fuqinë e prodhimit.

Objekte të shënjestruara për të dhënë mesazhe, ashtu si goditja në Kiev gjatë vizitës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Duke u kthyer tek emergjenca për municionet, kthehet në sipërfaqe principi i një lufte të avashtë, shkatërruese, e cila rëndon mbi ushtarët dhe civilët.

Ekspertët bien dakord mbi aspektin e zgjatjes së fushatës ushtarake ruse në Ukrainë dhe këmbëngulin në faktin se, nëse Kremlini dëshiron të shkojë përpara, duhet të gjejë resurse të tjera – edhe njerëzore.

Silurët Kalibr dhe armatime të tjera, që mbajnë pjesë nga vende të tjera, përfshi edhe Perëndimin, nëse sanksionet japin efekt, do të jetë e vështirë për Moskën që t’i sigurojë aq thjesht.

Shënim: Ky është një shkrim i gazetarit italian, Guido Olimpio, për Corriere della Sera, përshtatur nga Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore