Pajisje

Llamba inteligjente e Google-it, posaçërisht për punonjësit


Kompania teknologjike Google ka krijuar një llambë inteligjente të mbështetur nga Google Assistant, por ajo nuk pritet të nxirret në treg sepse është veç për punonjësit.

Ka qenë Ben Gold, dizajneri i Google-it, i cili ka postuar një imazh të llambës të quajtur dLight, duke vënë në dukje se ajo “nuk do të jetë kurrë në shitje jashtë kompanisë”.

https://twitter.com/bengold/status/1491982105332666390?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1491982105332666390%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.theverge.com%2F2022%2F2%2F13%2F22932202%2Fgoogle-smart-lamp-d-light

Faqja “The Verge” e të rejave teknologjike tregon se llamba ultra-moderne përmban një bazë rrethore dhe shtyllë të hollë që përmban një dritë cilindrike.

Ndërkaq, ngjyra e saj e bardhë, e ndritshme, thuajse e bën atë të duket si diçka që mund të gjendet në një dyqan të gjigantit amerikan të teknologjisë, Apple.

Por ashtu siç ka dalluar edhe dizajneri Gold, llamba mund të zhvendoset në pozicione të ndryshme, duke i lejuar përdoruesve që ta drejtojnë dritën poshtë për nga tavolina ose drejt fytyrës gjatë telefonatave video.

Llamba e Google-it vjen gjithashtu me disa paracaktime ndriçimi, si dhe me aftësinë për të ndryshuar temperaturën e dritës.

Në të nuk mungon as lidhja me internetin dhe mbështetja nga Google Assistant, pasi etiketa e saj ka logon “Hey Google” të stampuar.

Paçka se nga pamjet nuk mund të vërehet nëse llamba disponon portën USB-C, Gold ka vënë në dukje se vjen me një të tillë dhe se gjithashtu merr përditësime.

Mirëpo, kushdo që nuk është i punësuar pranë kompanisë Google nuk mund ta disponojë llambën. Dhe kjo nuk është hera e parë që kompania prodhon një produkt vetëm për punonjësit.

Në vitin 2017, kompania zhvilloi një palë kufje të markës Google veç për punonjësit e vet.

Sipas Gold, punonjësit e vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta porosisin llambën dLight përmes kompanisë, si pjesë e përpjekjeve të saj për të përmirësuar përvojën e punës nga shtëpia.

Megjithatë, punonjësit e Google-it nuk janë ende të detyruar të kthehen në zyrë për shkak të pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore