Lajme

Lituania akuzon oficerët e Bjellorusisë se po shtyjnë ilegale emigrantë përtej kufirit


Lituania ka akuzuar 12 oficerë bjellorusë që kanë hyrë ilegalisht në territorin e saj për të shtyrë një grup emigrantësh përtej kufirit.

Shërbimi i saj kufitar tha se bjellorusëve u ishte thënë vazhdimisht se kishin shkelur kufirin gjatë incidentit të tensionuar të martën.

Bjellorusia nga ana tjetёr akuzoi rojet lituaneze se po tregoheshin tё dhunshëm ndaj emigrantëve.

Ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian dënuan Bjellorusinë për përpjekjen për të “instrumentalizuar qeniet njerëzore për qëllime politike”.

Më shumë se 4 mijё e 100 emigrantë kryesisht irakenë kanë hyrë ilegalisht në Lituaninë anëtare të BE-së nga Bjellorusia fqinje deri më tani këtë vit.

Rritja e kalimeve ilegale filloi në qershor pasi BE vendosi sanksione ndaj udhëheqësit autoritar të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Sanksionet erdhën në përgjigje të goditjes së tij ndaj protestuesve dhe arrestimit të gazetarit disident në bordin e një fluturimi të Ryanair, që u detyrua të ulet në Minsk.

Lituania dhe aleatët e saj kanë akuzuar Bjellorusinë për fluturimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme për t’i dërguar përtej kufirit, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së. Bjellorusia e ka mohuar këtë pretendim.

Në një takim urgjent të mërkurën, ministrat e brendshëm të BE -së shprehën solidaritetin me Lituaninë, si dhe Letoninë dhe Poloninë, të cilat gjithashtu preken nga fluksi i emigrantëve. Ata ranë dakord që ekspertët dhe pajisjet të dërgohen për të rritur kontrollet kufitare.

Ndërkohë në Vilnius, Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli tha se Bjellorusia mund të përballet me sanksione më të ashpra pas takimit me kryeministren lituaneze Ingrida Simonyte.

Ajo akuzoi Bjellorusinë për përdorimin e emigrantëve si armë kundër BE-së dhe tha se Lituania po e merrte shumë seriozisht incidentin e së martës në kufi.

Incidenti shёnoi prishjen e fundit në marrëdhëniet Lituani-Bjellorusi, të cilat janë përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit.

Shërbimi kufitar i Lituanisë publikoi një video të incidentit, e cila tregoi 12 oficerë bjellorusë të armatosur me mburoja dhe mjete kundër trazirave në formacion, ndërsa emigrantët u turrën drejt territorit lituanez në një hendek më poshtë.

Më vonë në video, bjellorusët duket se hyjnë në gropën për të cilën rojet kufitare lituaneze thonë se shënon kufirin.

Ministria e Brendshme e Lituanisë tha se 35 emigrantë ishin “shtyrë me forcë” nga Bjellorusët.

Ministri i Brendshëm Agne Bilotaite tha se rojet kufitare lituaneze do të rritnin patrullimet në përgjigje të “provokimit”.

Më herët, shërbimi kufitar i Bjellorusisë publikoi videon e vet, nё tё cilёn nuk tregohen 12 oficerët e armatosur, as kalimi i supozuar në territorin e Lituanisë.

Në video, rojet kufitare lituaneze mund të shihen duke u përplasur me emigrantët, disa prej të cilëve janë shtyrë në dysheme.

Shërbimi kufitar nё Bjellorusi akuzoi rojet lituaneze për shpërfilljen e qëllimshme të “të gjitha kërkesave për azil”.

Lukashenko ka paralajmëruar vazhdimisht se autoritetet bjelloruse nuk do të ndalojnë më një fluks emigrantësh të paligjshëm nga jashtë drejt anëtarëve të BE-së.

Shefi i rojeve kufitare të Lituanisë, Rustamas Liubajevas tha se tensionet mbetën të larta në kufirin Bjellorusi-Lituani, ku parlamenti i Lituanisë javën e kaluar votoi për të ndërtuar një gardh.

Ndërkohë, dhjetëra mbërritje janë refuzuar nën politikën e diskutueshme të Lituanisë për të larguar emigrantët.

Megjithatё, Liubajevas tha se rojet kufitare të Bjellorusisë “po i shtynin në mënyrë aktive emigrantët e parregullt në anën e Lituanisë”.

Në Poloni, qeveria ka dërguar më shumë se 900 ushtarë për të përforcuar kufirin e saj me Bjellorusinë pasi autoritetet vunë re një rritje të madhe të mbërritjeve të emigrantëve nga Iraku, Siria dhe Afganistani.

Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë Pawel Jabloński tha se situata dukej si “njё aksion i organizuar”, teksa kancelarja gjermane Angela Merkel dënoi presidentin Lukashenko për përdorimin e refugjatëve për të “minuar sigurinë” dhe për të bërë presion mbi BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore