Lajme

Lituania merr masa ekstreme kundër emigrantëve


Parlamenti i Lituanisë miratoi të martën ndalimin masiv të migrantëve dhe frenoi të drejtën e tyre të apelimit. Një lëvizje kjo që synonte të frenojë numrat e lartë që kalojnë kufirin me Bjellorusinë, por që shkaktoi një protestë midis grupeve humanitare.

84 ligjvënës mbështetën projekt-ligjim, një kundërshtoi dhe pesë abstenuan. Sipas Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera joqeveritare, ky projekt-ligj shkel detyrimet ndërkombëtare të Lituanisë dhe të drejtat e migrantëve.

Zyrtarët lituanezë dhe të Bashkimit Evropian (BE) kanë akuzuar Bjellorusinë për përdorimin e migrantëve të paligjshëm si një armë politike për të ushtruar presion mbi unionin për shkak të sanksioneve të bllokut ndaj Minskut.

Më shumë se 1 mijë e 700 njerëz kanë hyrë në Lituani nga fqinji i saj jo vend i BE-së këtë vit, përfshirë 1 mijë e 100 vetëm në korrik.

Kryeministrja lituaneze, Ingrida Simonyte, tha se politika e paraburgimit do të parandalonte migrantët të udhëtonin ilegalisht në Perëndim.

Legjislacioni ka për qëllim “të dërgojë një mesazh tek irakianët dhe të tjerët se kjo nuk është një rrugë e përshtatshme, kushtet nuk do të jenë të mira këtu”, tha ministrja e Brendshme, Agne Bilotaite, në prezantimin e projekt-ligjit.

Ajo tha se migrantë të tillë “nuk janë azilkërkues të vërtetë”, përkundrazi janë një “mjet i presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, për t’u përdorur kundër Lituanisë”, pasi ai premtoi hakmarrje për sanksionet e BE-së të vendosura për shtypjen e tij të dhunshme të protestave në rrugë.

Ligji i ri ndalon çdo lirim të migrantëve nga paraburgimi për gjashtë muaj pas mbërritjes së tyre, kufizon të drejtën e apelit për azilkërkuesit e refuzuar dhe përcakton që migrantët mund të dëbohen, ndërsa shqyrtohen ankesat e tyre.

“Ligji është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe nuk korrespondon me direktivat e BE-së”, tha drejtori i programit të Kryqit të Kuq Lituanez, Egle Samuchovaite.

Lituania gjithashtu filloi të premten ndërtimin e një pengese tela me gjemba 550 kilometër të gjatë në kufirin e saj me Bjellorusinë.

Republika e vogël Baltike me 2.8 milionë njerëz, në skajin më të varfër lindor të BE-së, është mësuar të marrë më pak se 100 migrantë të paligjshëm në vit dhe është përpjekur të përballojë fluksin e fundit.

Ligji i ri heq shumicën e të drejtave të akorduara për migrantët, siç është e drejta për një përkthyes ose për të marrë informacion në lidhje me statusin e tyre dhe procesin e azilit.

Autoritetet lituaneze tani janë të detyruara vetëm të sigurojnë mirëmbajtje në paraburgim, kujdes mjekësor dhe ndihmë juridike, por kryeministrja tha se qeveria do të përpiqet të bëjë më shumë.

“Qeveria synon të sigurojë të gjithë mbështetjen që është e nevojshme për ata njerëz”, u tha ajo gazetarëve vendas.

“Por nëse ka një fluks shumë të papritur në një hark kohor të shkurtër, ne do mund të jemi në gjendje të sigurojmë vetëm atë që nevojitet në mënyre emergjente. Për këtë ne duhet të kemi një kornizë ligjore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore