Lajme

Lista Serbe: Kërcënimet e Sveçlës nuk do ta trembin Radoiçiç’in, as serbët në barrikada


Përfaqësuesit e Listës Serbe

Lista Serbe, përmes një komunikate për media, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se sa i përket të shpallurit në kërkim nga organet e rendit siç është Milan Radoiçiç,  “herët a vonë, ai do të ballafaqohet me drejtësinë”.

Kjo deklaratë “kërcënuese” e ministrit Sveçla, siç pretendojnë nga Lista Serbe, s’do ta frikësojë as Radoiçiç’in e as serbët lokalë në barrikadat e ngritura në pjesën veriore të Kosovës.

“Kërcënimet që Sveçla i dërgon zëvendëskryetarit Radoiçiç janë qesharake dhe nuk do ta trembin as Radoiçiç’in dhe as ndonjë serb në barrikada”.

Ndërkaq, Lista Serbe duke e përdorur aparatin propagandistik, vlerësoi se këto “kërcënime” ndaj liderëve të saj “paraqesin karakterin anti-serb të qeverisë së Albin Kurtit”.

“Kështu zbulojnë më së miri përdhunimet e tmerrshme dhe karakterin diktatorial të regjimit në Prishtinë”.

Gjithashtu, vizitat e shpeshta të ministrit Sveçla në zonën e banuar me shumicë serbe, parë përmes lenteve të korrierëve personal të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, “e kanë sjellë situatën në terren në një pikë të nxehtë”.

Propagandës së Listës Serbe i është bashkuar edhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook, tha se “Sveçla i frikësohet Radoiçiç’it dhe harmonisë serbe”.

“Një gjë është e sigurt – Milan Radoiçiç do të jetë gjithmonë obsesioni i Sveçlës dhe i ekstremistëve të tjerë. Terrorin e Kurtit, populli serb s’do ta tolerojë”.

Kujtojmë se njeriu për të cilin Lista Serbe dhe Petkoviç thurrin lavde dhe thonë se e ka “mbështetjen e parezervë të popullit serb” është në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara dhe Britiania e Madhe duke u përshkruar si një anëtar i Grupeve të Organizuara Kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore