Lajme

Lista e mohuesve të gjenocidit në Srebrenicë: Dodiku bindshëm në vendin e parë, mediet serbe në top-dhjetëshe


Ilustrim/Milorad Dodik

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës ka publikuar “Raportin e Mohimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, i cili ofron një pasqyrë të mohimit sistematik të gjenocidit në Republikën Serbe – entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë – Serbi, Mal të Zi dhe Kroaci, ku janë regjistruar 90 raste të mohimit të gjenocidit nga maji 2022 deri në maj 2023.

Raporti përfshin publikime të mediave në internet dhe deklarata të figurave publike në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi, që mohojnë, minimizojnë, relativizojnë, ose shtrembërojnë faktet rreth gjenocidit në Srebrenicë, ku forcat serbe të udhëhequra nga krimineli Ratko Mlladiç, masakruan rreth 8 mijë myslimanë.

Në periudhën maj 2022 deri në maj 2023, janë identifikuar 90 raste të mohimit të gjenocidit në hapësirën publike dhe mediatike të Bosnjë-Hercegovinës dhe vendeve fqinje. Krahasuar me raportin e vitit të kaluar (2022), në të cilin ishin shënuar 693 raste të mohimit të gjenocidit, në raportin e ri vërehet një rënie e numrit të rasteve.

Burimi: www.srebrenicamemorial.org

Mohimi aktiv është regjistruar në 53 raste, relativizimi në 26 raste, mbështetja për autorët e krimeve në 9 raste, ndërsa njohja e krimit, por jo e gjenocidit, në vetëm 2 raste. Numri më i madh i rasteve të mohimit të gjenocidit ndodhin në muajin korrik, kur festohet përvjetori dhe përkujtimi i viktimave të gjenocidit.

Raporti për vitin 2023 tregon se presidenti ultra-nacionalist i Republikës Serbe, Milorad Dodik, kreu i Organizatës së Familjeve të Luftëtarëve të Vrarë dhe Civilëve të Zhdukur nga Srebrenica, Branimir Kojiç dhe deputeti i Kuvendit të Serbisë, Miodrag Linta, janë akoma mohuesit kryesorë të gjenocidit në Srebrenicë.

Përveç tyre, ndër mohuesit e gjenocidit janë edhe mediet serbe të afërta me regjimin atje, “Informer” dhe “Alo”, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, delegati në Dhomën e Popullit të Asamblesë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, Radovan Kovaçeviç dhe Nenad Kecmanoviç, profesor në pension dhe ish-këshilltar i Dodikut.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Megjithatë, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Serbe në Bosnje- Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore