Kosova

Lirohet shoferi i autobusit që u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë


Autobusi që u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë

Shoferi i autobusit në të cilin vdiqën 10 persona në aksidentin e së dielës së 25 korrikut, në Slavonski Brod të Kroacisë është liruar.

Siç raporton gazeta kroate “Telegram.hr”, Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod e ka liruar shoferin i cili ishte në paraburgim, edhe pse sipas tyre, ekspertiza nuk ka përfunduar.

Avokati Ljubo Pavasoviç Viskoviç ka konfirmuar për Telegram se klienti i tij, shoferi i autobusit të Kosovës D. L., është tashmë i lirë.

“Ai është në banesën e tij dhe pret që policia ta marrë. Por padyshim që gjykatësi ende nuk ka urdhëruar policinë ta ndalojë atë”, citohet të ketë thënë Pavasoviç për Telegram.

Shoferi i autobusit në të cilin vdiqën 10 persona në aksidentin e së dielës së 25 korrikut, në Slavonski Brod të Kroacisë

“Problemi qëndron se ekspertët nuk e kanë kryer punën e tyre në pesë muaj, por kjo është se si lirohen të dyshuarit nga një vend i huaj”, shkruan gazeta kroate.

“Drejtuesi i autobusit D.L. është shtetas i huaj, ndaj është dënuar me paraburgim për shkak të mundësisë së arratisjes, aq më tepër që Kroacia dhe Kosova nuk kanë marrëveshje për bashkëpunim në procedurë penale që parashikon ekstradimin reciprok të shtetasve për ndjekje penale”.

Që atëherë, thekson Telegram.hr, më 27 korrik, shoferi D. L. ishte në paraburgim.

Ai siç thuhet më tej, u lirua nga gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Slavonski Brod, Mirko Svirçeviç.

Ky i fundit e ka bërë këtë “përkundër faktit se shoferi i autobusit, shtetasi i Kosovës, D. L., nuk ka kaluar ekspertizën psikiatrike, psikologjike dhe neurologjike të kërkuar nga Prokuroria e Qarkut”.

“Kjo ekspertizë është jashtëzakonisht e rëndësishme për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vrasje nga pakujdesia apo për vrasje me paramendim. Dhe ky kualifikim i veprës është veçanërisht i rëndësishëm për aktakuzën, si dhe për faktin nëse shoferi i Kosovës do të gjykohet në Gjykatën Komunale apo të Qarkut”.

Kështu ka thënë për Telegram një nga tre ekspertët juridikë, përfshirë një gjyqtar, të cilët janë konsultuar në lidhje me atë një ngjarje jo të zakonshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore