Sport

Lionel Messi: Mezi pres të filloj këtë aventurë të re


Pas 21 vitesh te Barcelona, Lionel Messi është larguar nga klubi katalunas në drejtim të një aventure të re në Paris, me Paris Saint-Germain.

Messi u largua nga Barcelona më shumë për shkak të kushteve financiare, se sa për dëshirën e tij.

Por gjithsesi, ky është realiteti, dhe nga sezoni i ardhshëm, yllin argjentinas do ta shohim për herë të parë me një fanellë tjetër përveç asaj të Barcelonës.

“Largimi nga Barcelona ishte shumë i vështirë”, filloi Messi, “por jam shumë i lumtur që jam bashkuar me PSG-në”.

“Mezi pres të filloj stërvitjen dhe këtë aventurë të re”, vazhdoi Leo.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejtë dhe lehtë, e falënderoj bordin e klubit për këtë gjë. Faleminderit edhe për pritjen që më keni bërë”.

Messi thotë që ka nevojë për ritëm loje, pasi vjen pas një muaji pushim.

“Jam këtu pas një pushim një mujor. Kam nevojë për përgatitje, të fillojë stërvitjen, e pastaj të shoh se kur mund të inkuadrohem në lojë. Shpresoj që të ndodh shumë shpejt”, tha Messi.

Messi shpreson që ky vit do të jetë “i mrekullueshëm për sportin dhe për tifozët”.

Ai thotë që në “Parc Des Princes” vjen me shumë entuziasëm në tentativë që të fitojë Champions League-n e tij numër pesë.

Argjentinasi zbulon që në transferimin e tij te Paris-i, ndikoi shumë edhe Neymar Junior.

“Ney, siç e quaj unë, luajti një rol të madh në arritjen time këtu”.

Por, Neymar nuk është shoku i tij i vetëm te PSG, pasi ai më parë ka luajtur edhe me futbollist si Di Maria dhe Paredes, te Argjentina.

“Kam shumë shok në dhomat e zhveshjes te PSG”, vazhdoi Messi, “edhe unë edhe Paris-i kemi të njëjtat qëllime, kjo më ndihmoi shumë”.

Ardhjen në Ligue 1, Messi e konsideron si një aventurë të re, ku do të jetë pjesëmarrës në “shumë stadiume të reja”, do të luaj kundër “shumë klubeve tjera”.

“Mezi pres ta fillojë”, shprehet numri 30 i PSG-së.

Messi thotë që të luaj kundër Barcelonës në Champions League do të jetë një ndjenjë e dyfishtë.

“Edhe mirë, edhe keq. Do të jetë shumë e çuditshme që të kthehem të luaj aty ku jam rritur, por tifozët e klubit më njohin mua, e dijnë që gjithmonë dua të fitoj”.

Për fund, Messi shprehet: “Do të jap gjithçka për të arritur synimet tona”.

“Jam ende po aq i lumtur sa isha kur fillova futbollin si një fëmijë. Ende jam ai djalosh”.

Messi do të fillojë përgatitjet me PSG-në menjëherë, në mënyrë që të jetë i gatshëm për t’u inkuadruar në lojë sa më shpejtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore