Lajme

Ligjvënësit amerikanë do të ndihmojnë për hetimin e trazirave në Brazil


Ligjvënësit amerikanë dhe brazilianë po kërkojnë mënyra për të bashkëpunuar në një hetim mbi protestat e dhunshme që shpërthyen në Brasilia këtë fundjavë.

Kjo, duke ndarë eksperiencën nga hetimet për sulmin në Capitol-in e SHBA-ve, thanë njerëz të njohur me bisedimet.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Diskutimet fillestare ndodhën pasi më shumë se 70 ligjvënës në të dy vendet nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke denoncuar forcat “anti-demokratike” që përpiqen të përmbysin zgjedhjet e fundit në vendet e tyre me dhunë politike.

Mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro plaçkitën Kongresin, Gjykatën Supreme dhe pallatin presidencial të Brazilit të dielën.

Ata bënin thirrje për një grusht shteti ushtarak për të përmbysur zgjedhjet e tetorit të fituara nga presidenti Luiz Inacio Lula da Silva.

Përfaqësuesi amerikan Bennie Thompson, kryetar i komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve të shpërbërë së fundmi që hetoi sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol-in e SHBA, është një ligjvënës, zyra e të cilit po diskuton bashkëpunimin, sipas një prej burimeve.

Presidenti i Senatit të Brazilit Rodrigo Pacheco ka diskutuar gjithashtu idenë e një shkëmbimi të tillë me diplomatin më të lartë amerikan në Brasilia, tha një person tjetër i njohur me bisedën.

Burimi, i cili është i afërt me Pacheco-n, tha se i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane, Douglas Koneff, ishte i hapur ndaj idesë së ndarjes së njohurive nga hetimi i mbështetësve të presidentit të atëhershëm Donald Trump të cilët sulmuan Kapitolin në një përpjekje të dështuar për të ndaluar Kongresin që të certifikojë fitoren e Joe Biden në zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore