Lajme

Ligji që ndalon homofobinë në Itali, peng i ekstremit të djathtë


Daniela Lourdes Falanga ka marrë pjesë në betejat për të mbrojtur të drejtat e veta. Ajo i tejkaloi pritshmëritë e familjes së saj. Falanga, nga djali i parë i një bosi mafioz në Napoli, u kthye në vajzë.

Në vitin 2019, Falanga guxoi sërish, duke thyer të gjitha hierarkitë. Ajo u zgjodh presidentja e parë trans e një dege të Arcigay, grupi më i madh i aktivistëve LGBT në Itali.

Falanga, sot 43 vjeç, pritej të ndiqte gjurmët e të atit, çka nuk ndodhi. Ky i fundit është duke vuajtur aktualisht një dënim të përjetshëm, në sindikatën e fuqishme të krimit të organizuar Camorra.

“Unë nuk isha djali që mund të përshtatesha në atë familje. Kjo më shkaktoi kaq shumë vuajtje”, tha për Observer-in Falanga, i cili udhëheq Arcigay në Napoli.

“Në moshën 17-vjeçare arrita kulmin. U rebelova fare. Kur bëra ‘kalimin’, e bëra për lirinë dhe lumturinë time. Këtu fillova të aktivizohesha për njerëzit trans. Dua që njerëzit ta kuptojnë që ne jemi njëlloj, si gjithë të tjerët, dhe jo monstra”.

Falanga tanimë është një ndër aktivistet e shquara, duke u angazhuar në një fushatë në Itali, për miratimin e një ligji të shumëpritur.

Nëse kjo do të ndodhte, dhuna dhe gjuha e urrejtjes ndaj personave të LGBT-së do të ndëshkoheshin.

“Ky ligj është kyç”, tha ajo. “Ne nuk jemi duke shpikur gjëra. Nëse urrejtja nuk ndodh në shtëpi, atëherë ka të ngjarë të ndodhë në rrugë”.

Thirrje të reja për miratimin e ligjit që ndalon homofobinë në Itali

Pas sulmit të dy javëve më parë ndaj një çifti homoseksualësh, të cilët u puthën në një stacion metroje në Romë, pati revolta për miratimin e ligjit në mbrojtje të personave të LGBT-së.

Në fakt, ligji do të miratohej nga dhoma e ulët e parlamentit në nëntor të vitit të kaluar. Më pas, ai do të kalonte për miratim në Dhomën e Sipërme, ose Senat, për t’u ndryshuar. Diçka e tillë është vonuar nga ndryshimi i qeverisë dhe rezistencës së ashpër nga politikanët e ekstremit të djathtë të Lega-s dhe Matteo Salvini-t.

Projektligji, i hartuar nga Alessandro Zan, një politikan homoseksual me partinë Demokratike të qendrës së majtë (PD), do të ishte zgjatimi i një ligji ekzistues që ndëshkon dhunën raciste, urrejtjen dhe diskriminimin, me burgim deri në katër vjet.

Përpjekja për të caktuar një datë për votimin përfundimtar, javën e kaluar, nga Komiteti i Drejtësisë pranë Senatit, dështoi. Kujtojmë se presidenti i këtij institucioni është Andrea Ostellari, anëtar i Lega-s.

“Shumica e njerëzve në komision mbështesin ligjin, por ne jemi duke u mbajtur peng, nga një president, i cili në mënyrë arbitrare vendos që votimi të mos caktohet, sepse i përket një partie që nuk e dëshiron atë”, shtoi Zan.

Megjithëse Italia miratoi martesat të të njëjtit seks në 2016, vendi mbetet prapa partnerëve të saj në BE në krijimin e masave anti-homofobi. Përpjekjet nga qeveritë e ndryshme gjatë 25 viteve të fundit për të ruajtur të drejtat e LGBT me ligj ose janë shuar, ose janë sabotuar.

Kur drafti i fundit i Zan-it filloi të diskutohej verën e kaluar, Salvini dhe Giorgia Meloni, udhëheqësja e partisë më të vogël të ekstremit të djathtë, “Vëllezërit e Italisë” organizuan protesta në Romë.

Ata argumentuan se ligji do të shtypte lirinë e shprehjes. Kohët e fundit, politikanët e ekstremit të djathtë kanë përdorur pandeminë e koronavirusit, me pretendimin se votimi i ligjit nuk është prioritar.

Massimiliano Romeo, kamxhiku i Lega-s në senat, tha se shtyrja e ligjit rrezikon t’i shkaktojë probleme qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga Mario Draghi. Lega hyri përsëri në qeveri pas formimit të aleancës në shkurt.

Por për Falangën dhe aktivistët e tjerë, një ligj që mbron njerëzit LGBT, bëhet edhe më i rëndësishëm për shkak të pandemisë. Grupet e të drejtave marrin qindra raporte të krimeve të urrejtjes çdo vit, por shumë prej tyre nuk raportohen.

“Episodet po shtohen”, tha ajo. “Në të njëjtën mënyrë, ne pamë një rritje të dhunës në familje gjatë lockdown-it, personat LGBT ishin ngërthyer në shtëpi me agresivitetin e prindërve ose vëllezërve që nuk i tolerojnë dot”.

Në qershor të vitit të kaluar, një 25-vjeçar u sulmua brutalisht nga një bandë prej shtatë personash ndërsa ecte dorë për dore me të dashurin e tij në qytetin e Pescara-s. Më pak se dy javë më vonë, një çift homoseksualësh u sulmuan nga një grup prej gjashtë personash, pasi ata u puthën me njëri-tjetrin në një stacion treni.

Përshtatur për The Guardian nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore