Lajme

Ligji për Zyrtarët Publikë, Tahiri: Demokracia në rrezik, sulm brutal i Qeverisë ndaj administratës


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, duke komentuar Ligjin për Zyrtarët Publik, ka thënë se me ketë ligj qeveria e drejtuar nga Albin Kurti po e “kap” politikisht administratën e shtetit.

Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që qeveria, në mbledhjen elektronike të premten, pritet ta miratojë Projektligjin për Zyrtarët Publik.

“Ky Ligj u miratua pa asnjë ditë të konsultimit publik, pa përfshirjen e asnjë rekomandimi të vetë zyrtarëve publikë dhe pa trajtimin e sugjerimeve të BE-së. Sot, me këtë ligj po kapet politikisht administrata e shtetit”, ka shkruar Tahiri.

Deputeti i AAK-së ka paraqitur edhe 10 (dhjetë) pika, të cilat, sipas tij, paraqesin “problemet fondamentale”.

Fillimisht ai ka përmendur mungesën e konsultimit me palët e afektuara, që janë zyrtarët publikë, e kjo, në vlerësimin e tij, “e bënë projektligjin pa legjitimitetin e nevojshëm”

“⁠Projektligji shkon kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke paraparë që nëpunësit që janë emëruar në pozitat e nivelit të ulet dhe të mesëm drejtues, të privohen nga e drejta ligjore e fituar me ligjin që ka qenë në fuqi kur janë emëruar. Projektligji i ri, duke i dhënë vetes efekt retroaktiv, e cenon të drejtën ligjore të fituar të kësaj kategorie. Krejt kjo në kundërshtim flagrant me parimet e SIGMA-së dhe BE-së, si një detyrim që Kosova ka marrë me MSA-në, që RAP ta bëjë në koordinim me BE-në, të cilën gjë nuk po e bënë”.

Madje, ky projektligj, sipas Tahirit, “shkel të drejtat e njeriut, pasi që bazohet në supozimin e paargumentuar se nëpunësit civilë nuk vlejnë dhe se ata duhet të largohen masivisht nga puna, për të sjellë në ato pozita persona të dëgjueshëm për politikën në pushtet”.

Thjesht, në prizmin e tij, “është një hap në kapjen e administratës shtetërore, krahas edhe hapave që kjo qeveri ka ndërmarrë në kapjen e shtetit”.

“Largim nga fushëveprimi i Ligjit për Zyrtarët Publik në mënyrë të qëllimshme dhe pa bazë (kjo vlen edhe për nëpunësit civilë me status të veçantë); Zgjatja e afatit deri në dy vjet për ushtrues detyre, tendencë e qartë për ligjësimin e këtij fenomeni të rrezikshëm”. shtoi pikat e radhës.

Po ashtu, ai përmendi edhe heqjen e pragut minimal, “që së paku dy kandidatë duhet t`i plotësojnë kushtet për nivelin e lartë drejtues është e gabuar dhe me pasoja në zbatimin në praktikë”.

“Vendosja e marrëveshjes për pranim të nëpunësve civilë, të cilët janë tepricë sipas paragrafit 3 të nenit 67 është shumë e rrezikshme dhe me qellim mund të vijë në situatat që institucionet mos t`i pranojnë nëpunësit dhe të njëjtit të largohen nga shërbimi civil (shih paragrafin 5 të nenit 67)”.

Ndërkaq, si problematik tjetër ai ka evidentuar edhe “pezullim i paarsyeshëm dhe në kundërshtim me parimin e prezumimit të pafajësisë”.

“Kthimi i mandatit për nëpunësit civilë aktualë në kategorinë e ulët dhe të mesme në kundërshtim me aktgjykimin, rastet: nr. KO216/22 dhe KO220/22 sipas të cilit mandate mund të vlejë vetëm për nëpunësit e ri të cilët krijojnë marrëdhënie pune pas hyrjes në fuqi të ligjit”.

Sipas Tahirit është “tragjike kjo kapje e shtetit” dhe nevoja që reformën “ta mbrojmë nga politizimi e partizimi në Gjykatë Kushtetuese, prapë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore