Lajme

Ligji për Zgjedhjet, Krasniqi: Do ta bëj diferencën në zgjedhjet e radhës


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme “pa asnjë mëdyshje” është reforma më thelbësore zgjedhore që ka ndodhur në Kosovë përgjatë dekadës së fundit.

Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes, me 86 vota pro e asnjë kundër, ka miratuar projektligjin për reformën zgjedhore, prandaj kreu i partisë më të madhe opozitare në vend e vlerësoi lartë këtë proces, të cilin e ka udhëhequr PDK-ja.

Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë adresuar rekomandimet e misioneve vëzhguese të Bashkimit Evropian,  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa kreu i PDK-së falenderoi për ndihmën dhe mbështetjen edhe partnerët ndërkombëtarë.

“Reformat dhe lehtësirat në votim e proces adminsitrativ janë rrënjësore dhe do ta bëjnë diferencën në zgjedhjet e radhës – duke mundësuar një proces zgjedhor edhe më demokratik, më transaprent dhe më me integritet”, shkroi Krasniqi në llogarinë e tij.

Ai ndër të tjera njoftoi se për mërgimtarët kanë lehtësuar procesin e regjistrimit të tyre, duke u krijuar mundësinë që të votojnë nëpër ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, por edhe që të dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës në shtetet ku jetojnë – duke eliminuar shpenzimet e shumta që ata kanë pasur.

“Votuesit në vendin tonë, qysh në zgjedhjet e përgjithshme të radhës, do të kenë mundësi të votojnë deri në dhjetë kandidatë, nga pesë sa kanë pasur deri tash, duke u dhënë më shumë mundësi për të zgjedhur përfaqësuesit që ata dëshirojnë”.

“Për të rritur transparencën dhe për të eliminuar dyshimet dhe parregullsitë, votat për deputetë do të numërohen nën monitorim të shtuar nëpër qendra komunale të numërimit dhe jo në vendvotime, ku do të numërohen vetëm votat për subjektet politike”, shtoi ai.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore